0.4 C
New York
Thursday, January 22, 2026

Buy now

Hamza i përgjigjet Kurtit për Presidentin: Flasim, s’ka gjë të keqe, por përgjegjësia të takon ty

- Advertisement -

Kryetari i partisë së dytë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e ka problem të takohet me kreun e partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, për marrëveshje politike.

Megjithatë, ai ka thënë se përgjegjësia i takon Albin Kurtit për ta konstituuar Kuvendin dhe ta formojë qeverinë.

“I ka 57 ulëse në Kuvend, sigurisht se e bën koalicionin edhe me deputetët e komuniteteve joshumicë, që nuk janë serbë, por të komuniteteve tjera, dhe e ka numrin e mjaftueshëm për të formuar qeverinë. Ka përgjegjësi për të formuar qeverinë, për konstituim të Kuvendit. Ka përgjegjësi që pa vonesa ta konstituojë Kuvendin, të gjitha pozicionet e Kuvendit, edhe të kryetarit e edhe të nënkryetarëve. Ne i votojmë nënkryetarët, për shkak se e kemi edhe nënkryetarin nga radha e PDK-së. Për të gjitha pozicionet tjera, përgjegjësia është e tyre”, u shpreh Hamza mes tjerash në intervistën e parë ekskluzive pas zgjedhjeve të dhjetorit.

I pyetur se a do ta votojë PDK-ja kryetarin e Kuvendit, Hamza tha: “Pse me pasë ne votë? I kanë ata, i mjaftojnë. Dhe normalisht, pa marrëveshje politike, nuk votojmë”.

Tutje, kreu i PDK-së tha se nuk janë në pritje të asnjë partie për marrëveshje, teksa potencoi se partia e tij ka qenë gjithmonë bashkëpunuese për tema në interes të vendit, për çka tha se do të jetë edhe në të ardhmen.

“Asnjëherë nuk u ikim bisedave. Nuk do të thotë se pajtohemi, por bisedave dhe takimeve asnjëherë nuk u ikim. Varet tema dhe mënyra e ftesës. Sepse edhe me të ftu, duhet me të ftu mirë dhe mbarë. Kjo i bie që mos me ta çu ftesën mirë dhe qartë, me pas çfarëdo prapavie apo tendence, nuk funksionon”, deklaroi Hamza.

Duke folur për postin e Presidentit, i cili duhet të zgjidhet për rreth 1 muaj e gjysmë, ai shprehu vullnet për të biseduar me Kurtin për këtë çështje, por tha se sërish përgjegjësia i bie partisë së parë.

Ndër të tjera, ai kujtoi edhe rastet e së kaluarës se si janë zgjedhur presidentët.

“Nuk ka kurgjo të keqe me folë, por përgjegjësia për me i ba votat i takon partisë së parë. Presidenti Rugova herën e parë e ka dhënë postin e kryeministrit, ku ka qenë zotëri Rexhepi, dhe vetë ka qenë president. Herën e dytë ia ka dhënë zotit Haradinaj, dhe vetë ka qenë president. Herën e tretë është zhgjedhur zoti Sejdiu me përkrahje të PDK-së, dhe kryeministër ka qenë zoti Thaçi. Mirëpo, PDK i ka pasur shumicën, por e ka marrë kryeministrin dhe e ka zgjedhur presidentin me marrëveshje politike”.

“Në hapin e radhës, zoti Pacolli është zgjedhur po ashtu president, dhe PDK ka qenë partia e parë. Postin e kryerministrit e ka pasur zoti Thaçi, e Pacolli është zgjedhur president. Zonja Jahjaga është zgjedhur në kohën kur shumicën e ka pasur PDK-ja”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se gjithmonë partia e cila e formon qeverinë, i takon përgjegjësia më e madhe që ta gjejë formulën se si ta zgjedh presidentin.

Të ngjashme

Të fundit