Kryetari i Mitrovicës dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Bedri Hamza ka folur për përpjekjet e intensifikuara për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Hamza, i cili ishte pjesë e qeverive të kaluara si ministër, ka thënë se kjo qeveri po pranon marrëveshje që dikur i kundërshtonte me zell.
Madje, ai tha se janë humbur 10 vite kundërshtim, për t’i pranuar po ato të njëjtat.
“Nëse vijmë me një situatë që nuk ka më të mirë se kjo, shtrohet pyetja pse i humbëm 10 vjet”, ka thënë Hamza.
Gjithashtu, Hamza ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, që vjen si propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai ka aluduar që qeveria e Kosovës ka pasur pak gisht në hartimin e tij, apo fare.
“Nuk është në rregull kur dikush tjetër ta bën draftin”, është shprehur ai.
“Unë kam pasur qasje në dokumentin paraprak dhe në krahasim me këtë që është publikuar, nuk ka ndryshime. Ky dokument ka qenë merre ose leje”, ka thënë Hamza në T7 .
Para se të sillet një marrëveshje me Serbinë në Kuvendin e Kosovës, Hamza ka vlerësuar se ajo duhet të harmonizohet mirë me të gjithë faktorët politikë, në mënyrë që të mos nxitet një debat që e kundërshton atë.
“Nuk është e shëndetshme që të sillet diçka në Parlamentin e Kosovës për ratifikim dhe pastaj të ketë situata të papranueshme”, ka deklaruar ai.