Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me ftesat e kryeministrit Kurti për takime me partitë politike në funksion të zgjedhjes së presidentit të ri.
Nga Zyra e Informimit e PDK-së bëjnë të ditur se kryetari Bedri Hamza i është përgjigjur kryeministrit Kurti, duke kërkuar që iniciativa të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.
“Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të PDK-së.
PDK thekson se çdo zhvillim i mëtejmë lidhur me këtë çështje do të trajtohet në përputhje me procedurat e brendshme partiake, duke lënë të hapur mundësinë për një qëndrim zyrtar pas shqyrtimit në organet drejtuese.






