Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, i pyetur nga analistët në emisionin “Pressing” në T7 se cila do të jetë vizita e tij e parë jashtë vendit, nëse merr postin e kryeministrit, ka deklaruar se deshira e tij është Shtëpia e Bardhë.
“Në aspektin ku unë dëshiroj, është Shtëpia e Bardhë. Jam shumë falënderues. Përveç aspektit politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak, ata kanë investuar miliarda euro në Kosovë,” tha Hamza.
Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur ato adresa jetike për Kosovën. “Është adresa kryesore jetike që të kemi raporte korrekte, miqësore, por edhe partneritet,” shtoi ai.
Hamza gjithashtu theksoi se gjatë karrierës së tij ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me administratat amerikane dhe shprehu besimin se marrëdhëniet do të mbeten të fuqishme.
“E kam pasur derën e hapur, e kam derën e hapur dhe jam i bindur se do ta kem derën e hapur,” përfundoi ai.