Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-në për të gjitha fushat e politikës, duke folur për dialogun me Serbinë dhe nevojën për një qasje të re. Ai u shpreh se rezultatet e deritanishme dhe draft-marrëveshjet aktuale kanë elemente që duhet të adresohen, duke u përqendruar te respektimi i të drejtave të komuniteteve dhe integrimi në BE.
“Për ne, marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për të gjitha fushat. Dialogu nuk ka qenë kurrë temë e lehtë, as për qeveritë paraprake, as për qeverinë e fundit. E them me bindje se kemi dallime të shumta në program, por sa i përket dialogut, duhet të krijojmë një momentum të ri. Jam i bindur se të gjithë bashkë kemi përshtypjen se kemi nevojë për qartësi. Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje që respekton të gjitha të drejtat e komuniteteve, jo një marrëveshje që hap derën për diskutime të tjera. Është e nevojshme që të jemi anëtarë të BE-së për të pasur qartësi; përndryshe, me një shtet fqinj që ka këto biseda kemi probleme të mëdha. Aksioni në Bajnske, sulmi në Iber Lepenc, këto duhet të adresohen. Drafti aktual dhe marrëveshja e prezantuar kanë elemente që duhet të adresohen, dhe unë i kam ngritur këto edhe në Bruksel, edhe në Washington. Rezuluta 12-44 në një dokument të brendshëm të Kosovës nuk ka vendin aty, as arbitrazhi. Nëse e lë arbitrazhin, tregon mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë, ka elemente të tjera që duhet të bisedohen,” tha Hamza në ”Click” të RTV21.






