-1.9 C
New York
Monday, December 8, 2025

Buy now

Hamza, Abdixhiku e Haradinaj të barabartë me Kurtin më 28 dhjetor?

- Advertisement -

Nga Adriatik Kelmendi

Në zgjedhjet e fundit lokale, Albin Kurti ka fituar vetëm 18.42 komuna të Kosovës, kandidatët e tij për asamble kanë marrë vetëm 23.05 për qind të votave, kurse koalicioni i Vetëvendosjes! sot udhëheq me vetëm 7 nga 38 komunat e vendit. Kjo dëshmon se gara për dominancë politike në Kosovë është e hapur. Vetëm se Hamza, Abdixhiku dhe Haradinaj s’po mund ta gjejnë ende çelësin për ta mundur Kurtin direkt, kurse Kurti s’po ia del që të mos jetë jorelevant në nivel lokal krahasuar me të tjerët!

 Adriatik Kelmendi

SUBJEKTET POLITIKE në Kosovë ka kohë që e mashtrojnë vetveten sa i përket leximit të rezultateve zgjedhore. Metarrëfimi i tyre, thuajse pa dallim, është “naivisht” i thjeshtësuar. Thonë, për Lëvizjen Vetëvendosje! votojnë rreth gjysma e popullatës, kurse PDK, LDK dhe AAK kanë pjesën tjetër të elektoratit shqiptar, herë pak më shumë e herë pak më pak se partia e Albin Kurtit.

Kjo, fare nuk qëndron. Në fakt, zgjedhjet e rreth 10 vjetëve të fundit tregojnë qartë se votuesi kosovar është bukur i ndarë në një trend të votimit të së paku tri partive shqiptare njësoj, LVV, LDK dhe PDK, kurse pak më larg tyre – por gjithsesi si parti serioze politike në skenë – mbetet edhe AAK-ja.

Në anën tjetër, duke se është fare e kuptueshme përse ka një konsensus të heshtur në mesin e LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për ta paraqitur ndryshe nga realiteti i ftohtë vullnetin e votuesit qytetar.

Arsyeja është se Kurti nuk po mundet assesi ta gjejë çelësin që popullaritetin e tij të pakontestueshëm të viteve të fundit në zgjedhje parlamentare ta përkthejë në rezultat njësoj të favorshëm në zgjedhjet lokale. Njëjtë, siç Memli Krasniqi/Bedri Hamza, Isa Mustafa/Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj po dalin inferiorë kur po ballafaqohen me “fenomenin Kurti” në nivel qëndror dhe s’po iu konvenon shumë t’i bëjnë reklamë suksesit të tyre të pakontestueshëm në nivel lokal.

REZULTATET E ZGJEDHJEVE lokale për LVV-në janë një dështim i përsëritur. Për shkak se deri më tash, më shumë ka qenë në garë për numrin e komunave të fituara me AAK-në “e vogël”, sesa me dy “partitë e mëdha” PDK dhe LDK.

Në zgjedhjet e fundit lokale, është e vërtetë që kandidatët e Kurtit kanë fituar numrin më të madh të komunave deri më tash, 7 sosh; por në anën tjetër “partitë opozitare” kanë fituar tre fish më shumë, plot 20 komuna, pa llogaritur këtu edhe 11 komunat e fituara nga partitë e komuniteteve joshqiptare.

Pra, sot Kurti (në koalicion edhe me Guxo! dhe Alternativa) qeveris me vetëm 7 nga 38 komunat e Kosovës, ose, në përqindje, vetëm me saktësisht 18.42 për qind të komunave të vendit. Kurse, nëse llogarisim drejtpërdrejt edhe votën që qytetarët e kanë dhënë për kandidatët për asamble komunale në zgjedhjet e 12 tetorit, LVV+Guxo+Alt kanë dalë subjekt i tretë, me 23.05 për qind të votave, kurse me rezultat të ngushtë para saj renditet PDK-ja me 23.7 dhe LDK me 23.15 për qind.

Krahasuar me 396,787 votave që kandidatët për deputetë kanë marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, kandidatët për asamble të koalicionit rreth Kurtit kanë korrë rezultat skandaloz – as  gjysmën e atyre votave; vetëm 182,410, ose plot 214,377 vota më pak. Kjo e bën koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje! të barabartë me gjasa në cikle zgjedhore me tri partitë e tjera tradicionale në Kosovë, ose anasjelltas LDK-në dhe PDK-në, sidomos, me mundësi të barabarta për të luftuar për të dalë të parat. Të gjitha të tjerat janë arsyetime të paqëndrueshme.

MJAFTON QË TA hedhim një sy jo më larg se rajoni dhe ta kemi fare të qartë se zakonisht vullneti i qytetarëve ndaj një subjeti politik është i njëjtë si në nivel qëndror, ashtu edhe në atë lokal.

Në Shqipëri, prejse Partia Socialiste e Edi Ramës ka arritur të fitojë në zgjedhje parlamentare me rezultat prej rreth 50 për qind të votave, kjo është përcjellë edhe në nivel lokal, ku ka fituar bindshëm numrin më të madh të bashkive. Sot kryetaret e Ramës qeverisin me 54 prej 61 bashkive të Shqipërisë.

Edhe në Serbi, që nga konsolidimi i pushtetit me rreth 50 për qind të Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit në nivel qëndror, shumica dërmuese e komunave vazhdojnë të fitohen nga kandidatët e partisë së tij.

Njësoj paraqitet situata edhe nëse lëvizim në vende të tjera evropiane, ku ka parti që në zgjedhje nacionale i marrin rreth 50 për qind. Në Hungari, suksesi i Fidesz në nivel qëndror përcjellet edhe në nivel lokal, në Armeni “Civil Contract” njësoj, ashtu edhe PAS në Moldavi e kështu me radhë.

Këta shembuj na bindin mjaftueshëm se rezultatet në nivel qendror dhe atë lokal nuk janë si nga dy planete të ndryshme, siç ka tendencë të na paraqiten “naivisht” nga politikanët kosovarë. Zakonisht, në situata normale, rezultatet qendrore dhe lokale janë reflektime të njëra-tjetrës.

LAJMI I MIRË për partitë opozitare është se votuesi i Kosovës i voton ato.

Lajm edhe më i mirë për Kosovën është se ka diversitet të madh partiak. Se ende nuk ka një subjekt të vetëm politik që mbizotëron udhëheqjen e vendit në nivel qendror dhe lokal dhe se dora e votuest kosovar është mësuar natyrshëm të votojë pak a shumë njësoj edhe LVV-në, edhe LDK-në, edhe PDK-në e edhe AAK-në.

Në këtë rrafsh, zbehen në rëndësi viktimizimet e partive opozitare në nivel qendror, të cilat e akuzojnë Kurtin dhe LVV-në se po e mbizotëron propagandën ndaj opozitës, se përdorë profile të rreme në rrjete sociale, se shpërndan ndihma sociale në kohë fushatash etj., dhe se për këto shkaqe edhe ngadhënjejnë bindshëm. Është fakt që LVV i përdorë në mënyrë të paskrupullt të gjitha këto, por ato po kanë efekt të dukshëm vetëm në zgjedhje parlamentare dhe jo njësoj edhe në ato lokale. Nëse qenka për propagandë dhe për ndihma, atëherë Kurti do të duhej t’i shkilte partitë e tjera edhe në zgjedhje lokale, por kjo s’po ndodh.

Edhe kandidatët e Kurtit, nuk kanë përse të arsyetohen për dështimet e tyre nëpër komuna, duke i akuzuar partitë e tjera se kanë krijuar pashallëqe të vogla lokale.

Së këndejmi, në këto zgjedhje, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj duhet ta dinë se në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur më 12 tetor, kandidatët e tyre i kanë shkelur kandidatët e Albin Kurtit. Varet prej tyre tash, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, se a do të vazhdojë t’i shkelë ata Albin Kurti, ose ata ta shkelin atë, siç ndodhi vetëm dy muaj e gjysmë më parë.

Twitter: @adriatikk

Të ngjashme

Të fundit