Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se opozita ka më shumë mundësi për të formuar qeverinë sesa Lëvizja Vetëvendosje.
Gjatë intervistës në Rubikon, Hamza u shpreh i prerë se PDK nuk do të bashkëpunojë me LVV-në për formimin e qeverisë së re.
“Partia Demokratike e Kosovës e pret radhën. Po që se prodhohet situata dhe unë besoj që shumë më e mundshme edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave, është që opozita me kriju qeverinë se sa Lëvizja Vetëvendosje. Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka.” – tha ai.
Sa i përket deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se LVV do ta formojë qeverinë e ardhshme, Hamza u shpreh se pa partitë opozitare, Kurti nuk i ka numrat.
“Është i bindur ndoshta. Mirëpo, nëse janë 48 deputetë edhe 10, bëjnë 58. 61 – të nevojshëm për formimin e qeverisë – nuk bëjnë. Nëse asnjë prej partive të cilat kanë qenë në opozitë apo prej partive të cilat kanë qenë në opozitë apo prej partive të cilat e kanë fitu ulësen në Kuvend, nuk ka negociata, nuk ka mërrëvshje, nuk bëhet qeveria.”