Muhamet Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, dhe ‘’partnerët e saj’’ për thellim të krizës së përgjithshme në vend.
Hamiti në postimin e tij, ka vlerësuar edhe se ky vit, ka qenë vit i humbur për Kosovën, dhe ka potencuar se, ky vit ka qenë pa kuvend funksional dhe pa qeveri me mandat të plotë kushtetues, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, anëtari i LDK’së, ka thënë se VV’ja e kërkoi mandatarin për formimin e qeverisë, pa i pasur numrat për formimin e saj, në mënyrë që t’i shtyjë zgjedhjet parlamentare.
Postimi:
Pse e kërkoi VV-ja në fillim të këtij muaji për së dyti mandatin për formimin e Qeverisë kur nuk i pati votat herën e parë, nuk i ka tash, as po përpiqet t’i bëjë? Nuk po e çajnë kokën për asgjë. E thanë vetë se nuk i kanë numrat, se nuk duan koalicione. Çka deshën pra? Konsumimin e dy javëve shtesë për t’i shtyrë zgjedhjet e pashmangshme parlamentare. Kështu vetëdijshëm VV-ja me partnerët e vet po e thellon krizën e përgjithshme në Kosovë.
Domethanë, një vit i plotë pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me mandat të plotë kushtetues në Kosovën e sanksionuar nga BE-ja. 2025-shi – një vit i humbur për Kosovën.






