Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë në detyrë, duke e akuzuar për shkelje të përsëritura të Kushtetutës.
Në një paraqitje për emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Hamiti tha se edhe pjesëmarrja e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe Donika Gërvalles në takime ndërkombëtare është bërë në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas tij, është hera e parë që Kuvendi i Kosovës gjatë një viti të tërë nuk ka arritur të ushtrojë funksionet bazë, ndërsa e quajti dështim të plotë qeverisjen aktuale.
“Procesi i Berlinit është i rëndësishëm, prandaj edhe ka shkuar atje. Por puna është që ai dhe deputetja Donika Gërvalla kanë shkuar në Nju Jork, janë deputetë, ndërsa ministrat dhe kryeministri, gjegjësisht në rastin e Kurtit, kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kjo nuk është shkelja e vetme e tyre. Ata kanë bërë më dhjetëra shkelje të Kushtetutës vetëm gjatë këtij viti, në një kohë kur Kuvendi i Kosovës nuk është mbledhur asnjëherë për të shqyrtuar ligje, për të mbikëqyrur punën e qeverisë apo për të emëruar njerëz në institucionet e pavarura.
Këto janë punët standarde të një Kuvendi, por për herë të parë në historinë e Kosovës, gjatë gjithë vitit 2025, Kuvendi ka dështuar t’i përmbushë këto detyra. Dhe kjo ndodh në kohën kur në krye të këtij pushteti është Albin Kurti me Vetëvendosjen, që ka dalë me rezultat prej 42 për qind dhe megjithatë nuk po arrin ta realizojë mandatin që ia ka dhënë qytetari i Kosovës.
Kjo qeveri e Vetëvendosjes ka shkelur Kushtetutën e Kosovës më shpesh, dhe pa dhimbje, se të gjitha qeveritë e mëhershme bashkë, ato qeveri të mëhershme që ky ka qejf me i quajtur ‘regjim i vjetër’”, tha Hamiti.