Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar qëndrimet e Albin Kurtit ndaj aktgjykimit të tretë të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik.
Ai ka bërë me dije se përgjegjësi kryesor për moskonstituimin e Kuvendit është Albin Kurti dhe partia e tij.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se për 8 muaj VV-ja ka dëshmuar paaftësi për formimin e institucioneve të reja.
“Është ulur tash e sa muaj edhe në ulësen e deputetit edhe të kryeministrit, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E ka bllokuar me VV-në e tij konstituimin e Kuvendit dhjetëra herë, me muaj të tërë, duke u përpjekur të imponojë kandidaturë dhe procedurë për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit jashtë praktikës së zakonshme parlamentare. Tash, kur Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është konstituuar ende Kuvendi i Kosovës, Albin Kurti po thotë se “është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Mbas një jave, më 9 tetor, bëhen tetë muaj prej kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Ndonëse doli e para në zgjedhje, me rezultat shumë të mirë, Vetëvendosja dëshmoi paaftësi për formim të institucioneve në përputhje me norma demokratike dhe ligjore”, ka shkruar ai.