Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka kritikua sjellje 20-vjecare të VV-së.
Ai ka vlerësuar se partia e Albin Kurtit prej vitit 2005 ka histori të kundërshtimit të dhunshëm të proceseve politike në Kosovën e para-pavarësisë dhe të pas-pavarësisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më 28 dhjetor Kosova duhet të dalë nga kurthi i Albin Kurti.
“Në 20 vjet të ekzistencës së vet, prej vitit 2005, Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit ka histori të kundërshtimit të dhunshëm të proceseve politike në Kosovën e para-pavarësisë dhe të pas-pavarësisë. Më 26 janar 2006, në ditën kur u varros Presidenti Ibrahim Rugova, të cilin e nderuan atë ditë qindra mijëra shqiptarë, po ashtu miq nga e gjithë bota, VV-ja e quajti Ibrahim Rugovën “kolaboracionist”. Më 17 shkurt 2008, kur gjithë shqiptarët dhe miqt tanë e festuan me ne shpalljen e pavarësisë së Kosovës, VV-ja ishte i vetmi formacion politik shqiptar që nuk festoi. Serbët i kanë pasë djegur pikat kufitare mbas shpalljes së pavarësisë”, ka shkruar ai, duke shtuar se VV-ja edhe si opozitë ka bërë veprime të dhunshme.
“Kur ishte në opozitë, për “kauza të mëdha”, Vetëvendosja ka ushtruar dhunë ndaj institucioneve të Kosovës. Aktivistë të saj me raketahedhës dore kanë pasë kryer sulm ndaj Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të cilin Prokuroria e kishte kualifikuar si akt terrorist. Shumë deputetë të VV-së kanë kaluar nëpër procese të stërzgjatura gjyqësore për përdorim të gazit lotsjellës në Kuvend. Njëri prej këtyre rasteve në sallën e Kuvendit më 10 gusht 2016. Pamjet e shëmtuara, skenat e rrezikshme, na kujtohen të gjithëve. Gjyqësori ka qenë i butë me ta. Në ndonjë rast, edhe kur e kanë pranuar veprën, gjyqi i ka shpallur të pafajshëm. Glauk Konjufca qe befasuar vetë kur u lirua nga akuza më 2024”, ka shkruar Hamiti.






