Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti tha se nuk ka asgjë të keqe që kryeministri, Albin Kurti po këmbëngul për shtrirjen e sovranitetit në veri.
Megjithatë, sipas tij, Kurti po e bën të kundërtën.
“Nuk ka asgjë të keqe që po këmbëngul, por ka të keqe kur je kokëfortë dhe e bën të kundërtën në vepër e asaj që e thua me fjalë. Po ndodh e kundërta në vepër me atë që po e thotë në fjalë. Po do ta shtrijë sepse kemi të drejtë, askush s’e konteston të drejtën tonë sigurisht për ta shtrirë këtë sovranitet. Po të ishte kjo punë aq e lehtë do të ishte shtrirë plotësisht edhe më herët. E vërteta është që sidomos në vitin e fundit ne kemi më pak sundim ligji atje. Në dukje të parë kemi policinë, por kur s’ka sistem gjyqësor e as funksionim të mekanizmave institucional, sigurisht kemi më pak sundim të ligjit e më pak sovranitet për aq sa ia ka dalë Serbia të hyjë brenda dhe t’i rrëmbejë policët tanë”, ka thënë Hamiti në TV1.