Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së tha së është i hidhëruar me të akuzuarin Hashim Thaçin.
Këtë e tha me arsyetimin se Hashim Thaçi nuk e ka takuar asnjëherë pas lufte dëshmitarin përkundër kërkesës së disahershme të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kam pritë me e taku shumë herë dhe jo një herë, por asnjëherë nuk kam arrit ta takojë. Këta që bëhen të mëdhaj, që bahen ministra, kryeministra, presidenta mbajnë shumë telefona, 2-3 telefona, shumë shoqërues, 2-3 shoqërues. I thu njërit ta takojë thotë ‘po po i them’, i thu tjetrit ‘po, po i them’ dhe kështu që nuk i thotë hiç apo edhe i thotë nuk kam kohë ta takoj. Asnjëherë qasje nuk kam pas dhe për atë nuk jam mirënjohës fare, jam shumë i hidherum pse nuk me ka taku asnjëherë”, tha dëshmitari Halitjaha.
Duke folur për dëshmitë e tij që kishte dhënë para trupit gjykues, dëshmitari e ripërseriti se Hashim Thaçin e ka parë vetëm dy herë gjatë kohës së luftës dhe njëri prej këtyre rasteve ishte në Zonën e Budakovës.
Ndërsa, për Rexhep Selimin, dëshmitari tha se nuk e kishte ditur që ka qenë inspektor i përgjithshëm atë kohë.
“Rexhën e kam njoftë në luftë kur ka ardh në Nishor në Zonën e Pashtrikut. E kam njoftë si Rexhë dhe ma vonë e kam kuptu që ka qenë inspektor”, tha Halitjaha.
Ai tha se edhe pse nuk e ka ditur që Selimi ka qenë inspektor, nuk e dinte as cila është përberja e stafit të tij.
“Selimin e kam pa në zonën time me dy ushtarë. Nuk e di sa ka qenë përbërja e inspektorit”, tha dëshmitari duke theksuar që nuk i kujtohet nëse e ka parë Selimin për herë të dytë gjatë asaj kohe.
Sadik Halitjaha tha se në kohën kur Kadri Vesei ishte shef i Zbulim-kundërzbulimit nuk kishte shkuar në zonën ku luftonte dëshmitari.
“Nuk u ardhë asnjëherë në nivel zonave as në nivel të njësive me të ulta. Ai ndoshta ka ardh por unë nuk e di”, tha dëshmitari Halitjaha.
Vlen të theksohet se me fillimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe tha se klientit të tij të iu mundësohet të flas me familjarët pasi sipas tij iu është refuzuar kontakti që 17 ditë.