Pas ndërprerjes së seanvë konstituive dhe thirrjes për një takim konsultativ nga partitë politike, u ngritën pikëpyetje nëse kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vepruar në përputhje me rregulloren dhe legjislacionin në fuqi.
Ish-nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, e konsideron veprimin e Deharit si tërësisht brenda kompetencave të tij ligjore.
Sipas Halitit, drejtimi i seancës nuk ka qenë në kundërshtim me rregullat parlamentare dhe shtyrja e saj mund të ketë ardhur si rezultat i mungesës së kuorumit apo ndoshta edhe me kërkesë të partisë në pushtet, Vetëvendosje.
“Avniu nuk ka bërë asnjë shkelje. Ka kompetenca të plota për të udhëhequr seancën deri në zgjedhjen e kryesisë. Shtyrja është e domosdoshme kur nuk ka kuorum. Mund të ketë qenë edhe kërkesë nga VV apo Albin Kurti”, tha Haliti për RTV21.
Ai shtoi se situata në Kuvend është një betejë politike mes pozitës dhe opozitës, dhe se është e natyrshme që partitë të përdorin instrumentet që kanë në dispozicion për të avancuar interesat e tyre.