Deputeti i PDK-së dhe njëri prej themeluesve të UÇK-së, Xhavit Haliti tha për Euronews Albania se Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e përgatitur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Sipas tij, Vuçiq ka pasur si qëllim që të shkaktoheshin këto trazira në mënyrë që të shmangte dialogun.
“Mua më duket se qeveria jonë ka rënë në grackën e Vuçiqit, për të krijuar probleme me qëllim që ata të mos e vazhdojnë dialogun. Me 100 vota mua më duket e vështirë për të funksionuar si institucion në një vend ku më shumë se 90% janë qytetar të komunitetit serb dhe për më tepër janë të dëgjueshëm ndaj Beogradit, e kur them këtë mendoj se situata mund të ndikojë negativisht”, tha ai.
I pyetur se nëse kjo situatë mund të ndikojë në Marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, Haliti tha se për një kohë, Vuçiq do të mungojë në takime.
Megjithatë, ai theksoi se nuk ka arsye që bisedimet të ndërpriten.
“Unë mendoj se do mungojë Vuçiçi në takime për një kohë e më pas do vazhdojnë bisedimet, pasi nuk ka kuptim të mos vazhdojnë bisedimet. Problemi është a do pranohet kjo qeverisje dhe a do pranohen kryetarët e komunave të zgjedhur vetëm nga votat e shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë dhe si do vazhdojë kjo. A do vazhdojë kjo me policë? Kujt do i shërbejë kjo?”, u shpreh Haliti.