Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka cilësuar si jozyrtare vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Bosnjë e Hercegovinë.
Sipas Halitit, vizita e kryeministrit nuk është zyrtare përderisa nuk është takuar me tri komunitetet atje. Madje thotë se nuk ka rol për shqiptarët të cilët jetojnë atje.
“E para, Kurti nuk është thirrur për vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë për t’u takuar zyrtarisht me shtetin, sepse rregullat atje janë të tilla që tri komunitetet me qenë së bashku në takim. Me sa e lexova Kurti është ftuar nga një organizatë joqeveritare që merret me kulturë, por në kuadër të kësaj meqenëse përfaqësuesi i Listës Serbe nuk është pajtuar që të jetë Kurti në atë takim, ka dështuar edhe takimi zyrtar ku është ftuar, pra ka dështuar një samit”, tha ai në Tëvë1.
Ndërkohë, vizitën e Kurtit atje, kryetari i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, Millorad Dodik, e quajti fyerje për serbët dhe provokim të situatës.
Ndërkaq, Haliti, Dodikun e konsideron njëri dhe politikan të çmendur.
“Ai është njëri i çmendur për mua, politikan i çmendur, politikan që ka shfrytëzuar emocionet e serbëve, ka shfrytëzuar nacionalizmin serb dhe është pasuruar. Është politikan, i cili është në listë të zezë të ShBA-së. Ai është i neveritshëm edhe me pa edhe me dëgjua edhe fuqia e tij është me pengua sa të mundet Bosnjën që me u bë tamon shtet”.
“Nuk shoh diçka të keqe, por nuk shoh as rezultat, s’ka rezultat. Rezultat zyrtar nuk ka. Marrëveshjet i kanë pranuar, por a ia kanë hequr kosovarëve vizat? Këtu është problemi”, deklaroi ai.
Kurti, pasditen e së enjtes ka nisur vizitën në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës. Atë e priti Refik Lendo, nënkryetari i Federatës nga radhët e popullit boshnjak.