Ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës dhe eksponent i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet e fundit në zgjedhjet për pushtetin vendor në Kosovë, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Trialog” në RTSH.
Haliti vlerësoi organizimin e partive opozitare në raundin e parë të zgjedhjeve, duke theksuar se koalicionet paszgjedhore duhe të jenë më të fokusuara tek qytetarët.
Ai përmendi disa nga garat më të forta që pritet të zhvillohen në balotazhin e 12 komunave, duke veçuar Mitrovicën, Prishtinën dhe Prizrenin si më të spikaturat.
“Komunat e mëdha që i kemi pasur në koalicionin e mëparshëm, kemi qenë të organizuar më mirë dhe të fokusuar tek njerëzit. Tashmë është e njëjta gjendje, dhe në Mitrovicë do të kemi balotazh mes Vetëvendosjes dhe PDK-së. Prishtina është gara më interesante e balotazhit pas dy javësh, por edhe Prizreni do të jetë interesant,” tha Haliti.
I pyetur për mundësinë e një koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në balotazh, duke lënë jashtë skemës Vetëvendosjen, Haliti u shpreh se kjo është një çështje që do të shqyrtohet nga partia.
“Nëse Lidhja Demokratike hyn në qeveri, sikurse po pretendon z. Kurti, atëherë nuk besoj se do të duhet të mbështesim asnjërën prej palëve,” deklaroi ai.
Duke folur për performancën e PDK-së në zgjedhjet lokale, Haliti theksoi se partia ka numrin më të madh të anëtarëve të Asambleve përfaqësuese, por kjo nuk duhet të konsiderohet automatikisht si fitore.
“PDK ka numrin më të madh të anëtarëve të Asambleistëve në pushtetin lokal. Por kjo nuk është domosdoshmërisht një fitore. Nuk duhet të shërbejë si justifikim publik në rrethanat kur nuk jemi mirë me fitore në raport me komunat. Ne mund të themi që kemi marrë më shumë vota për Asambleistët, por të tjerët thonë se kanë fituar më shumë komuna,” u shpreh Haliti.