Xhavit Haliti ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës duhet të tregohet më e rreptë me deputetët potencialë të cilët “e shesin vetveten e tyre” te Lëvizja Vetëvendosje.
Ish-deputeti i PDK-së, në një deklarim për Tëvë1 të enjten, tha se PDK-ja duhet të mbajë qëndrim kundër bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen.
“Unë mendoj se është gabim i madh i PDK-së të hyjë në koalicion. Kjo shumicë parlamentare e Vetëvendosjes e ka krijuar një situatë mosbesimi te qytetarët për të gjithë politikanët e Kosovës dhe unë mendoj që PDK-ja duhet të jetë e pozicionuar në opozitë sepse ajo duhet të ballafaqohet me të gjitha problemet të cilat i shkakton pozita”, tha Haliti.
“Unë besoj që nuk do të ketë qeveri; ajo, edhe nëse bëhet me paterica, me 62 vota, do të ketë probleme që në javën e parë”, u shpreh ish-deputeti.
Sipas tij, asnjë deputet i PDK-së nuk duhet të dorëzohet para Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Arsyet askush nuk i thotë pse p.sh Vetëvendosje nuk hyn me PDK-në, ashtu si PDK-ja nganjëherë deklaron e nevrikosur që ne nuk do të hyjmë me ta, por në anën tjetër jepet njëfarë mesazhi që ‘ju s’po na lusni’. Por, sidoqoftë unë besoj që PDK është vetëdijësuar. Udhëheqësia e saj duhet të reflektojë për votimin që e ka bërë në parlament dhe duhet të forcohet si parti, të demokratizohet maksimalisht me statutin e saj”, tha Haliti.
Megjithatë, ai tha se nuk beson që do të ketë deputetë të opozitës që do të kalojnë me pushtetin.
“Unë s’e besoj që do të ketë deputetë që do të kalonin në votim të qeverisë. Nëse dikush e ka shitur vetveten, ai duhet të përjashtohet menjëherë nga partia. Ne kemi pasur raste të tilla në të kaluarën, por nuk kemi reaguar. Nuk i kemi ngacmu. E kemi konsideruar si vullnet të individit, por tani mendoj që partia duhet të jetë më e rreptë ndaj elementëve të cilët në një mënyrë ose tjetrën e tradhtojnë. Nuk do të duhej të ketë deputet të zgjedhur të PDK-së, të cilët me asnjë kusht do të votonin këdo qoftë pa miratimin e këshillit drejtues të PDK-së”, tha Haliti.