Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë ketër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
Krasniqi në vazhdimësi iu ka bërë thirrje, gjatë ditëve të fundit, partive opozitare LDK dhe AAK që t’i bashkojnë votat për shpërbërjen e Kuvendit por përgjigja e tyre deri tani është jo me arsyetimin se kryeminsitri Kurti duhet të japë dorëheqjen.
Po pse po hezitojnë LDK dhe AAK t’i japin votat për shpërbërjen e Kuvendit?
Në lidhje me këtë çështje ka folur për deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti tha se LDK dhe AAK i kanë deklarimet e qarta dhe se nuk janë të obliguara të bëjnë qëndrim të njëjtë me PDK-në.
Ai tutje u shpreh se “nëse Kurti është i gatshëm ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme, i ka të gjitha mundësitë”
“Të dy partitë, LDK dhe AAK, po mbajnë qëndrime përafërsisht të njejta. Asnjëra e as tjetra s’janë të obliguara të mbajnë qëndrim të njejtë me PDK, ato kanë politikat e tyre dhe zbatojnë ato sipas mendimeve dhe interesat e tyre. Deklarimet dhe arsyetimet e tyre janë publike dhe të qarta. Ashtu edhe siç janë të çartë ata që flasin në emër të VV-së. Besoj që nëse Kurti është i gatshëm ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme, i ka të gjitha mundësitë”
“Nëse nuk i ka dy të tretat e votave për ta detyruar Kuvendin të vetëshpërndahet, atëherë mundësia tjetër është dorëheqja e Qeverisë, që edhe në këtë rast mund të shkojmë në zgjedhje. Prandaj nëse Kurti është dakord që Kosova të mbaj zgjedhje të reja, i ka mundësitë që pas dorëheqjes të vendosë Presidentja sipas kopetencave kushtetuese” deklaroi Haliti për Gazeta Blic.
Ai tha se qëllimi i LDK-së dhe AAK-së është që të konstatohet se qeveria është e dështuar.
“Qëllimi është që të konstatohet që Qeveria është e dështuar në rritjen e ekonomisë, në raportet ndërkombëtare, por edhe të kenë kohë për tu pregaditur për fushatë” deklaroi deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.