Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK),, ka komentuar publikimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky vendim nuk e zgjidh ngërçin politik në vend.
“Aktgjykimi nuk i jep fund krizës politike nëse nuk ka marrëveshje politike. Kompromisi është zgjidhja kryesore. Nuk është në pyetje kryetari i Kuvendit, por Qeveria”, tha Haliti në Tëvë1.
Ai shtoi se beteja aktuale politike nuk lidhet vetëm me postin e kryeparlamentarit.
“Beteja po bëhet se kush do ta bëjë Qeverinë dhe a do të kemi një koalicion të madh për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Haliti.
Duke folur për përgjegjësitë politike, ai theksoi se faji nuk është tek deputetët, por tek partitë politike dhe liderët e tyre.
“Faji është tek partitë politike dhe jo tek deputetët që s’po krijohet Kuvendi. Krejt kjo është faji i kryetarëve të partive, pasi ata duhet të vendosin se çfarë të bëhet”, tha ai.
Haliti apeloi për uljen e tensioneve mes pozitës e opozitës, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të qëndrueshme politike.
“Unë nuk mund të flas si fallxhor, por ajo që duhet të bëhet është që të ulen gjakrat mes opozitës dhe pozitës, të bisedohet seriozisht, të merren parasysh interesat e Kosovës. Duhet të zgjidhet edhe çështja e presidentit dhe të vendosen rregulla kushtetuese që të mos kemi më situata të tilla pas çdo zgjedhjeje. Kështu do të forcohet demokracia”, tha Haliti.