Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar zhvillimet politike të fundit lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e planifikuara më 9 shkurt 2025.
Gjatë një interviste në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Haliti kritikoi qasjen fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e cilësuar përjashtimin e Listës Serbe si një “aventurë politike” të nxitur nga urdhrat e Qeverisë.
Sipas Halitit, moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja në mbledhjen e 23 dhjetorit ishte një veprim që shkelte rregullat e barabarta të vendosura nga Kushtetuta e Kosovës dhe dëmtonte integritetin e procesit zgjedhor.
“Mendoj që kishte aventurë politike në KQZ. Kuptohet më urdhër të Qeverisë sepse ne kemi një kushtete dhe kemi rregulla të njëjta për të gjithë në Kosovë. Dhe mënoj që ishte gabim që e përjashtuan Listën Srpska, do të ishte mirë që të kishte edhe parti të tjera të komunitet serb që garojnë. Ata garojnë mes veti dhe jo me të tjerët. Gara është e hapur sepse janë vendet e rezervuara dhe besoj që këtë duhet ta kemi parasysh.
Mllefi që ka të bëjë kundër veprimeve të njërit ose tjetrit nga Lista Serbe, duhet të bazohet në ligj, dhe dikush që e ka shkel ligjin, bazuar legjislacionit në fuqi në vend mund të dënohet, nëse dënohet s’mund të marrë pjesë në zgjedhje. Ne s’mund të marrim vendime kolektive për një parti, e cila po garon me emra të përveçëm dhe si grup.
Ata e kanë ditur që s’mund ta përjashtojnë dhe vendimi është një urdhër i cili ka poaqë qëllim, që e kanë këto akrobacionet e tjera, për të krijuar një mendim tek elektorati i vet që ne jemi të fuqishëm dhe marrim veç vendime patriotike, atdhedashëse, të cilat i marrim dhe nuk nijmë as për kushtetutë, as për ligj e as për raporte me ndërkombëtarët.
Për efekte elektorale brenda Kosovës në interes të Qeverisë”, ka thënë Haliti.
Komenti i tij vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) urdhëroi certifikimin e Listës Serbe, vendim që më vonë u mbështet edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. KQZ, duke ndjekur këtë urdhër, e certifikoi Listën Serbe më 31 dhjetor, duke konsideruar çështjen të mbyllur. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që ai drejton.
Moscertifikimi fillestar i Listës Serbe nxiti reagime të shumta, duke përfshirë shqetësime nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, që e cilësuan politizimin e certifikimit si një hap prapa për demokracinë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhduan të shprehin kundërshtimet e tyre, duke theksuar se Lista Serbe ka qenë e përfshirë në akte dhune e terroriste dhe ka shkelur parimet demokratike të vendit.