Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kryeministri, Albin Kurti raportin e fundit të Bankës Botërore mbi zhvillimin ekonomik të Kosovës e ka përkthyer në mandatin e tij, teksa sipas saj, ky raport flet për një dekadë të zhvillimit ekonomik.
Madje ajo e ka cilësuar shqetësuese faktin që një kryeministër sipas saj, në ditë vikendi fillon me përdorë makinerinë propagandistike për ta shtrembëruar të vërtetën.
“Ju e keni pa hiç më largë se dje dmth kemi pasur një raport të Bankës Botërore që kryeministri Kurti e përkthen për mandatin e tij, a në fakt Banka Botërore flet për një dekadë dmth të zhvillimit ekonomik që ka ndodhë në vend. Kështu që ju lutem është shumë e dhimbshme çështja se si një kryeministër dmth në ditë vikendi fillon me përdor makinerinë propaganduese për ta shtrembëruar një të vërtetë që nuk lidhet me të vërtetën reale të të rinjëve dhe qytetarëve tanë”, tha Halimi në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1.
Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka marrë lavdërime të larta nga Banka Botërore, gjatë kësaj jave.
Kurti tha se sipas Bankës Botërore, krahasuar me 10 vjet më parë, Kosova ka arritur të ardhurat për frymë për 50% dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35%.