Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, e ka quajtur shqetësuese deklaratën e deputetit të LVV-së, Haki Abazi, i cili sot teksa fliste për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, kërkoi nga Prokuroria që t’i marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Në këtë kohë, kur Kosova është duke u ballafaquar me kriza të ndryshme e pa asnjë veprim konkret në zgjidhjen e tyre nga ana e qeverisë, është tepër shqetësuese se si deputeti i partisë në pushtet sot na del me informata tronditëse”, tha ajo në Facebook.
Sipas Halimit, është alarmuese edhe implikimi i vet kryeministrit të vendit në rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
“Ndaj, kërkojmë urgjentisht veprimin e menjëhershëm të Prokurorisë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, rasti i tillë i ndjeshëm nuk duhet të mbetet i izoluar nga makineria propagandistike ashtu siç edhe dinë ta bëjnë kjo parti”, shkroi Halimi në Facebook.