Komentatori politik Halil Matoshi, ka kritikuar partitë opozitare, duke i quajtur si grupe të atomizuara dhe detronizuara dhe se këto grupe politikisht nuk janë të koordinuara, duke u shprehur se rivaliteti mes tyre shpesh e kalon rivalitetin me pushtetin qeverisës.
Sipas Matoshit, kjo ka krijuar një klimë politike ku opozita nuk është në gjendje të prezantojë një figurë të qartë për president, qoftë burrë apo grua, ose ndonje person nga jashtë vendit, të cilët do të ishin me integritet dhe të aftë për t’u propozuar për president. Ai tha se sado që do të ishte i mirë një kandidat i propozuar nga LDK-ja, ai do të ishte refuzuar nga PDK-ja, ose e kundërta e kësaj.
“Këto grupe të atomizuara, detronizuara opozitare, edhe të jashtme, edhe njeriun, burrin ose gruan më me integritet e më të zotin, me pas propozuar nga LDK-ja, PDK-ja kishte qenë kundër. Ose e kundërta, sepse nuk e durojnë njëri-tjetrin.”, ka thënë Matoshi në Politiko të Kanal10.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si këto grupe opozitare duken më shumë konkurues mes veti sesa në përballje me qeverinë, pra me kryeministrin Albin Kurti.
“Janë më shumë në mënyrë rivale mes veti sesa me pushtetin; bile me pushtetin shumë herë këta ia kanë ndihmuar.”, shtoi tutje Matoshi.






