Sipas Halil Matoshit, dënimi prej 26 vjetëve burgim ndaj Salih Mustafës është politik dhe i ndërlidhur me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
Madje sipas Matoshit, ky vendim do të përgjysmohet nëse Kosova do të arrijë marrëveshje finale me shtetin serb në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet dy shteteve.
“Problemi qëndron se në Kosovë me dije ose pa të, është krijuar një mënyrë e pandëshkueshmërisë, dhe kjo na ka kushtuar. Kjo do të vazhdojë edhe për të tjerët që janë në Hagë. Pandëshkueshmëria si kulturë, ka pasojat e veta. Këtë e shohim edhe të Salih Mustafa”, tha Matoshi në Kanal 10.
Matoshi ka thënë se vendimi i Specialës për Mustafën është i pajustifikueshëm, pasi sipas tij, ai u akuzua se bashkëpunoi në grup, e përderisa u dënua vetëm si individ.
“Nuk mund ta justifikoj një dënim kaq të rëndë. Mustafa u dënua si individ, duke u u akuzuar se ka bashkëpunuar në grup. Atëherë me kënd ka bashkëpunuar ai? Bindja ime për këtë rast, është politike, në aspektin e një presioni që është duke u bërë ndaj Kosovës, përkatësisht mbi palët në negocim për një marrëveshje finale, po ashtu ka qenë i ndërlidhur edhe liberalizimi i vizave. Ky dënim është i ankimueshëm, shkalla e parë. Unë besoj që nëse procesi politik Kosovë-Serbi shkon kah marrëveshja finale, unë besoj që Mustafa do të ketë një vertikt tjetër, që do ta përgjysmojë atë”, tha tutje Matoshi në Politiko.