UBT – Lider i arsimit të lartë në Kosovë
Rektori Hajrizi shpjegoi se UBT ka arritur një rritje të qëndrueshme, me një fokus të vazhdueshëm në cilësinë e edukimit, infrastruktura moderne, inovacionin në programet e studimit dhe angazhimin për përmirësimin e mundësive për studentët. Ai theksoi se përkushtimi i universitetit për të ofruar mundësi të shkëlqyera për studentët është arsyeja pse shumë familje vazhdojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre në UBT, duke besuar në nivelin e lartë të edukimit që ofrohet.
Hajrizi po ashtu shpjegoi se modeli edukativ i UBT-së është i pranuar dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, me një numër të rritur studentësh jo vetëm nga Kosova, por edhe nga rajoni dhe bota. “Modeli i UBT-së sot është i pranuar në mbarë botën“, tha ai.
Rektori Hajrizi u ndal edhe tek një nga sfidat kryesore që ka përballuar UBT: migrimi i të rinjve dhe pasiguria ekonomike. Ai siguroi se UBT ka arritur të ofrojë një arsim cilësor që i përgjigjet kërkesave të tregut të punës, duke ndihmuar studentët të zhvillohen dhe të qëndrojnë në Kosovë. “Nëse ke një edukim dhe dije cilësore që i përgjigjet tregut të punës, atëherë jeta dhe puna në Kosovë janë me perspektivë”, u shpreh ai.
Hajrizi gjithashtu përmendi që universiteti ka përqendruar përpjekjet e tij për të ofruar programe studimi që jo vetëm janë të përputhshme me nevojat e tregut të punës, por gjithashtu janë të dizajnuara për të përmbushur kërkesat ndërkombëtare.
Reforma në kurrikula dhe inovacioni në edukim
Një aspekt kyç i suksesit të UBT-së është angazhimi në zhvillimin e kurrikulave të reja, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, që i ofrojnë studentëve mundësinë të përgatiten për sfidat e së ardhmes. “Që nga viti 2003, kur kemi krijuar programin e parë, International Engineering Management, kemi vazhduar të dizajnojmë kurrikula të reja që janë të harmonizuara me kërkesat lokale dhe ndërkombëtare”, shpjegoi ai.
Në këtë kuadër, UBT ka zhvilluar programe inovative në fusha të ndryshme, si inteligjenca artificiale, energjia e ripërtëritshme, dhe ndryshimet klimatike, duke u fokusuar në trajnimet që ofrojnë mundësi të mëdha për studentët e tij.
Çmimi prestigjioz “European Quality Leader First Finalist”
Një tjetër moment i rëndësishëm në historinë e UBT-së ka qenë çmimi i fituar nga Rektori Hajrizi, i cili u nderua me çmimin prestigjioz “European Quality Leader First Finalist” në Kongresin e 65-të të European Quality Congress në Francë. “Ky është një nga çmimet e jetës. Më shumë se një nder, ky çmim është një dëshmi e ndikimit që kemi pasur në zhvillimin e cilësisë dhe menaxhimit të standardeve ndërkombëtare,” vlerësoi ai.
UBT ka pasur një ndikim të madh në fushat më të avancuara të teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale, teknologjitë e mençura dhe Revolucionin e Katërt Industrial. Universiteti është renditur ndër më të mirët në botë, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë nga 59 universitete në botë për ndikimin e tij në Revolucionin e Katërt Industrial, dhe në vendin e 26 për inteligjencën artificiale gjenerative. Rektori Hajrizi theksoi se ky është vetëm fillimi, dhe UBT vazhdon të investojë në projekte inovative që do të kontribuojnë në zhvillimin e qyteteve të së ardhmes, si dhe do të mbështesin kërkesa globale për dije dhe teknologji.
Ekosistemi inovativ i UBT-së dhe roli i tij në transformimin e edukimit të lartë
Rektori Hajrizi përmendi gjithashtu “Ekosistemin e UBT-së”, një model unik i integrimit të qendrave inovative dhe laboratorëve modernë që luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e projekteve dhe prototipeve në fusha të ndryshme. “Me 30 qendra inovative dhe 300 laboratorë modernë, UBT ka krijuar një ekosistem që çdo ditë zhvillon projekte që mbulojnë të gjitha aspektet e jetës moderne,” përfundoi ai.
Në fund të intervistës, Rektori Hajrizi shprehu besimin se UBT do të vazhdojë të jetë një model i inovacionit dhe transformimit të arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për studentët dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë./UBTNews