Parkingu shumë shpesh është bërë mollë sherri për përleshje, kërcënime e sulme mes qytetarëve gjithandej vendit. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur edhe në rrugën “Papa Klimenti” të Pejës, ku një 22-vjeçar është kërcënuar nga një 55-vjeçar.
Gazeta Sinjali ka mësuar se gjithçka ndodhi për shkak të parkimit të veturës nga i dyshuari para lokalit të viktimës. Sipas burimeve, dy palët fillimisht patën një mosmarrëveshje, pasi viktima i kërkoi të dyshuarit ta largojë veturën, meqë sipas tij ai paguan në komunë për atë vend parkim.
Viktima ka deklaruar se i dyshuari ia ka dhënë çelësat një personit për t’ia larguar veturën, për t’iu rikthyer më pas në shenjë hakmarrjeje.
I dyshuari i ka shkruar të riut në lokal dhe ka eskaluar duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese se “a është parkingu yt që më the ta largoj veturën”, duke vazhduar më pas “nesër e parkoj prapë, hajde largoma e sheh çka të gjen, ka me ta q* nanën”.
Për shkak të shqetësimit nga i dyshuari, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se posedon edhe video-incizimin se si ka ndodhur rasti para dhe brenda lokalit të tij.
Në anën tjetër, një njësi policore ka arrestuar të dyshuarin, të cilit me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.