Me rastin e muajit tetor, i cili në mbarë botën njihet si Muaji i Vetëdijesimit për Kancerin e Gjirit, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, ka vizituar sot Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, të udhëhequr nga Kadire Tahiraj.
Gjatë vizitës, Hajdari theksoi rëndësinë e kujdesit për shëndetin, veçanërisht për gratë, duke e vlerësuar zbulimin e hershëm të sëmundjeve si kanceri i gjirit si vendimtar për tejkalimin e tyre.
“Shëndeti dhe kujdesi për të është mbi gjithçka. Avancimi i grave është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ai nuk mund të kuptohet pa një ndërgjegjësim të plotë shëndetësor. Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit i rrit ndjeshëm gjasat për shërim. Prandaj, i inkurajoj të gjitha gratë të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore,” deklaroi Hajdari.
Ai shtoi se PDK në Drenas do të bashkëpunojë ngushtë me QPDG-në për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe mbi të gjitha, më të shëndetshme.
Vizita vjen në një kohë kur shumë institucione dhe organizata po ndërmarrin fushata sensibilizuese për vetëdijesimin e grave në lidhje me kontrollat mjekësore të rregullta dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.