Albian Hajdari sonte debutoi me kombëtaren e Kosovës, pasi po këtë muaj bëri zgjedhjen që të kalojë nga Zvicra te “Dardanët”.
Ai ishte një nga më të mirët në fushën e lojës ndaj Sllovenisë, në ndeshjen që u mbyll baras pa gola.
Hajdari, vetëm 22-vjeçar ka thënë se nuk e ndjen veten si debutues, sepse e kanë pritur mirë të gjithë.
“Jam lojtar shumë emocional dhe ndoshta e kam shprehur pak këtë. Nuk po e ndiej veten si debutues, sepse më kanë pritur të gjithë shumë mirë, sikur të jem këtu prej kohësh. Jam shumë i kënaqur për debutimin, sidomos që nuk kemi pranuar gol – për një mbrojtës kjo është gjëja më e mirë”, ka thënë Hajdari, duke vlerësuar edhe punën e ekipit në aspektin defensiv.
Ai ka shtuar më tutje duke thënë se edhe këtu ka cilësi, e madje mund të flitet për Botëror.
“E di që krahasimi me Zvicrën është tjetër nivel e mentalitet, por edhe këtu ka shumë cilësi. Mund të flasim edhe për Botëror. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai.
Hajdari për fund foli edhe për ndeshjen ndaj Suedisë.
“Është folur shumë për sulmuesit e Suedisë dhe për milionat e tyre, por ne me shifra të vogla kemi arritur shumë. Do të japim maksimumin dhe pres një ndeshje të mirë”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.
Kosova do të përballet me Suedinë pas tri ditësh, më 13 tetor.
“Dardanët” janë të dytit në tabelë me katër pikë, pesë më pak se Zvicra që është e para. Sllovenia i ka dy pikë në vendin e tretë, teksa Suedia është e fundit me një pikë.