Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, i ka reaguar kryediplomatës Donika Gërvalla, e cila ka thënë se Edi Rama e ka keqpërdorur dje mikpritjen e Kosovës.
Ai ia ka rikujtuar Gërvallës deklaratat e saj për dërgimin e dosje në Gjykatë Speciale.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hajdari ka thënë se Gërvalla është ministres skandaloze.
“Veç për Donikën, të flasësh për atë që po ndodh në Hagë është keqpërdorim i mikpritjes së Kosovës. Prej kur qenka problem ta mbrosh UÇK-në nga foltorja e Kuvendit? Gjithçka është e qartë edhe për ata që s’ka qenë deri tash: E njëjta kishte deklaruar hapur që ka dërguar dosje në Hagë. E njëjta ka bërë skandal pas skandali në diplomaci. Ky pushtet skandaloz, s’po ia del ta bëjë asnjë hap pa ndeshur në skandalet e veta, prandaj sorollatet nga paniku e kapet me UÇK-në. E pabesueshme mund të duket, por s’është”, ka shkruar ai, duke vazhduar kritikat ndaj shefes së diplomacisë.
“Po ju vjen fundi, fundrrina të historisë. Kot bëni manovra. Krejt lumenjtë e Kosovës s’ua lajnë dot skandalet. Donika në fund të fundit s’është gjë tjetër veçse një tregues i tmerrshëm i asaj që e ka kapluar pushtetin. Donika është turp për mbiemrin që mban. Prandaj që tani e tutje, nuk duhet t’i referohemi më kurrë me mbiemrin Gërvalla. Ai i takonte babait të saj. Asaj i takon veç turpi”, ka shkruar Hajdari.