Qytetarët triumfuan 3:1 ndaj West Ham United në udhëtim, ku më meritori ishte Erling Haaland që shënoi het-trik.
Skuadra e Pep Guardiolës e dominoi tërësisht takimin sa i përket rasteve të rrezikshme dhe posedimit, teksa West Ham United kishte mundësitë e saj, por që nuk i konkretizuan për pothuajse asnjë moment.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 10-të, kur Bernardo Silva asistoi bukur për Haaland, me këtë të fundit që shënoi gol fantastik për 1:0.
Nëntë minuta më vonë, Ruben Dias shënoi autogol, me West Hamin që e barazoi rezultatin në 1:1.
Epërsinë prej një goli e riktheu Haaland në minutën e 30-të, me një goditje të fuqishme në zonë, për të mposhtur për herë të dytë personalisht Areolën në këtë mbrëmje.
Me rezultatin 2:1 u mbyll pjesa e parë e takimit.
West Ham ishte më kërkuese në pjesë të dytë, por krijonin vetëm gjysmëraste, teksa në një moment e goditën edhe shtyllën, por golin e barazimit nuk arritën ta gjenin.
Erling Haaland e kompletoi het-trikun e tij në minutën e 83-të pas një kundërsulmi. Nunes e gjeti mirë 24-vjeçarin, me këtë të fundit që finalizoi aksionin në mënyrën më briliante të mundshme, për rezultatin përfundimtar 3:1.
Manchester City kështu e fiton edhe ndeshjen e tretë në Premierligë, duke grumbulluar nëntë pikë.
Në anën tjetër, Erling Haaland, e shënon het-trikun e dytë këtë sezon nga tri ndeshje, duke shkuar në kuotën e shtatë golave.
Ai ka shënuar 70 gola në total në Premierligë në 69 paraqitje, teksa ka edhe 13 asiste.