Viktor Gyokeres ka shpjeguar se si lindi festimi i tij ikonë, me një referencë për yllin e DC Comics, Bane, teksa diskutoi fillimin e aventurës së tij në Ligën Premier me Arsenalin.
Reprezentuesi i Suedisë ka pranuar se aventura e tij në Ligën Premier ka qenë sfiduese, por ai është i lumtur që bën pjesë në një garë për titullin e Ligës Premier në Emirates Stadium.
Gyokeres u transferua në verën e vitit 2025 në Londër, në një paketë transferimi me vlerë fillestare 55 milionë euro.
Një klauzolë largimi u aktivizua në kontratën e tij me klubin portugez Sporting, duke bërë që Arsenal të konsiderohet se ka bërë një blerje të shkëlqyer.
27-vjeçari nuk ka pasur fillimin më të lehtë nën dritat e forta, por gjithsesi ka shfaqur festimin e tij të njohur – ku krijon një maskë në fytyrë me duart, 11 herë në të gjitha kompeticionet.
“Isha me miqtë e mi dhe ata më thoshin se gjithmonë po festoja në mënyra të ndryshme, dhe mendoj se ishin pak të lodhur që të shihnin gjithmonë të njëjtën gjë”.
“Më donin që të krijoja një festim timin. Unë gjithashtu mendova se ishte një ide e mirë”.
“Ne u pajtuam dhe dolëm me atë që kam tani. Mendoj se ishte një ide shumë e mirë. Më ka pëlqyer ta bëj dhe ende më pëlqen. Ka qenë e mahnitshme. Nuk jam i sigurt nëse e kam thënë që ishte Bane, por mund të jetë”.
Gyokeres kishte shkruar në një postim në rrjetet sociale në qershor 2024, pranë një fotoje ku festonte: “Askush nuk interesohej derisa vendosa masken”.
“Kjo është një referencë për Bane, i cili në filmin e Batmanit ‘The Dark Knight Rises’ thotë: ‘Askujt nuk i interesonte se kush isha deri sa vura maskën’”.







