“GUXO më tepër është shtesë e VV-së”, Mushkolaj: Osmani nuk kthehet në LDK, s’përjashtohet mundësia t’i prijë listës zgjedhore me disa parti

- Advertisement -
Skena politike në Kosovë po përjeton zhvillime të rëndësishme pas dorëheqjes kolektive të degës së GUXO-s në Deçan dhe largimit të Haxhi Avdylit, duke hapur rrugën për spekulime rreth një bashkimi të mundshëm të partive të së djathtës, ku një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Kryetarja e degës së GUXO-s në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi se bashkë me kryesinë kanë vendosur të japin dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë, duke përfshirë dorëheqjen kolektive dhe të parevokueshme të degës së Deçanit.

“Kur në shkurt të vitit 2021, para qytetarëve të Republikës së Kosovës, si koalicion i përbashkët iu drejtuam qytetarëve dhe fituam besimin e tyre me 51.28%, në atë fushatë zgjedhore bashkërisht kërkuam mbështetjen e qytetarëve me një zotim të qartë: Znj. Vjosa Osmani që të jetë Presidente ndërsa z. Albin Kurti Kryeministër. Po ashtu, para qytetarëve u zotuam se, për të paktën dy mandate, duke qenë se vendi kishte aq shumë nevojë për ndryshime, do të vazhdojmë së bashku me këtë konstelacion politik që dy liderët tanë të mbajnë këto pozicione që nënkuptonte se Presidentja znj. Osmani tani edhe mandatin e dytë e mbi standardin e vendosur po nga ato zgjedhje se, në dy pozitat drejtuese më të larta të Republikës, të kemi figura që gëzojnë mbështetjen më të madhe të të gjithë qytetarëve”, shkruan Haklaj.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për mundësinë e krijimit të një blloku të madh të së djathtës në Kosovë, duke theksuar se Osmani aktualisht mban postin e presidentes dhe për këtë arsye nuk mund të flitet më gjerësisht për angazhime politike, por në një projekt të madh të së djathtës ajo do të kishte vendin e saj të padiskutueshëm.

Analisti politik Imer Mushkolaj, në një intervistë për Lajmi.net, vlerësoi situatën aktuale politike në vend, ku tha se fuqia politike e Partisë Guxo është e papërfillshme në skenën politike kosovare dhe se funksionin si shtesë e VV-së.

“Fuqia politike e Partisë Guxo është e papërfillshme në skenën politike kosovare. Ky subjekt më tepër ka funksionuar si ‘shtesë’ e Lëvizjes Vetëvendosje, sesa vërtet ka përfaqësuar një ideologji të qartë politike”, u shpreh ai.

Mushkolaj beson se Osmani nuk do të kthehet në LDK – por nuk e përjashton mundësinë që ajo të jetë në krye të një liste zgjedhore pjesë e së cilës do të mund të ishin LDK, AAK e ndonjë parti tjetër e vogël.

“Nuk besoj se znj. Osmani do të kthehet në LDK, por nuk e përjashtoj mundësinë që ajo të jetë në krye të një liste zgjedhore pjesë e së cilës do të mund të ishin LDK, AAK e ndonjë parti tjetër e vogël. Një numër figurash të rëndësishme brenda LDK-së nuk janë të gatshme ta mirëpresin rikthimin e Osmanit. Nuk duhet harruar se largimi i saj nga LDK dhe bashkimi me VV ishte arsyeja kryesore pse LDK pësoi humbje të thellë, tregoi ai.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Gjykatës Kushtetuese, ku tha se do ta determinojë edhe të ardhmen politike të VV-së, në njërën anë dhe të partive opozitare, në anën tjetër.

“Nëse organizohen zgjedhje të reja, partitë opozitare mbase mund të konsolidohen paksa. Por, e rëndësishme është se si qytetarët e shohin gjithë situatën dhe kujt i mbetet faji për ‘ndarjen’ ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta determinojë edhe të ardhmen politike të VV-së, në njërën anë dhe të partive opozitare, në anën tjetër”, u shpreh Mushkolaj për lajmi.net

Vendi në javët e fundit është përballur me një bllokim tjetër politik, këtë herë lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa afati kushtetues për emërimin e kreut të shtetit ka kaluar.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të sqarojë në mënyrë definitive situatën institucionale dhe fatin e legjislaturës aktuale. Ky afat është deri më 31 mars, kur edhe Gjykata Kushtetuese pritet të jap fjalën përfundimtare dhe të dihet s’i të vazhdohet tutje.

Vjosa Osmani ndryshe do të mund të qëndrojë në postin e presidentes deri më 5 prill. Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush e kësisoj situata u komplikua.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Të ngjashme

Të fundit