Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Ahmet Ismaili me bashkëpunëtorët e tij ka takuar Kryetarin e Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës Suat Bakkal dhe Drejtorin e Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija.
Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale të sektorit bankar, me një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë së vendit, i cili ka vazhduar të karakterizohet me stabilitet, nivele të larta të kapitalit, kualitetit të mjeteve dhe likuiditetit.
Gjithashtu, u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit në mes të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, duke përfshirë adresimin e sfidave për implementimin e suksesshëm të Rregullores së BQK-së për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës u dakorduan për të rritur bashkëpunimin dhe komunikimin në mes të këtyre dy institucioneve në funksion të rritjes se efikasitetit të sistemit bankar, digjitalizimin e shërbimeve dhe përkrahjes së ekonomisë në rrethanat aktuale, si dhe projekte tjera qe lidhen me bankimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm.