Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka takuar Ambasadorin e Suedisë në vendin tonë, Sh. T. Z. Jonas Westerlund.
Përmes një njoftimi për media, BQK njofton se Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Ambasadorin Westerlund lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).
“Në takim u diskutua edhe për progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet suedeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me bankën qendrore të Suedisë. Po ashtu u diskutua lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së”, thuhet në komunikatë.
Guvernatori Ismaili e ka informuar Ambasadorin Westerlund mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, si dhe i sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.
“Në këtë aspekt, Ambasadori Westerlund u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Në këtë takim është konstatuar se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve suedeze në fushat e interesit të përbashkët.