Sekretari i përgjithshëm i OKB,së, António Guterres e përshkroi sot situatën në Rripin e Gazës si një katastrofë të shkaktuar nga njeriu – pasi autoriteti ndërkombëtar i sigurisë ushqimore shpalli zyrtarisht zi në e bukës – në një pjesë të territorit bregdetar për herë të parë.
Në një raport të publikuar të premten, Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) tha se ka prova të arsyeshme se zia e bukës ka ndodhur në Gazë, një rajon administrativ që përfshin Qytetin e Gazës, që nga 15 gushti.
Duke iu përgjigjur njoftimit të IPC-së në një postim në X, Guterres i përshkroi kushtet në Gazë si një “ferr i gjallë”.
Ai theksoi se situata nuk ishte një mister, por përkundrazi një katastrofë e shkaktuar nga njeriu, një padi morale dhe një dështim i vetë njerëzimit.
Shefi i OKB-së tha se Izraeli, si fuqi pushtuese, ka detyrime sipas ligjit ndërkombëtar për të siguruar furnizime ushqimore dhe mjekësore.
Njoftimi i IPC-së vjen ndërsa trupat izraelite përparojnë drejt Qytetit të Gazës – si pjesë e një ofensive të re për të pushtuar metropolin më të madh të territorit – në një përpjekje për të shkatërruar grupin ekstremist palestinez Hamas.
Fushata e fundit ka ngjallur frikë për vuajtje të mëtejshme për popullsinë civile, të cilën agjencitë e ndihmës e kanë paralajmëruar prej kohësh se përballet me mungesa katastrofike.
Izraeli vendosi një bllokadë pothuajse totale të ndihmës në territor në fillim të këtij viti.
Duke u përballur me kritika ndërkombëtare, ai e hoqi pjesërisht bllokadën muajin e kaluar, duke lejuar sasi të kufizuara ndihme në Rripin e Gazës, megjithëse organizatat e ndihmës kanë thënë se sasia e ndihmës nuk është e mjaftueshme për të parandaluar urinë.
Guterres përsëriti kërkesën e tij për një armëpushim të menjëhershëm në luftën e Gazës, lirimin e pengjeve dhe akses të plotë humanitar në Rripin e Gazës.