Deputeti i Lidhjes Demokratike, Paris Guri, ka ngritur sot publikisht shqetësimet e tij për atë që e cilësoi si abuzim masiv me tenderë në sektorin e shëndetësisë gjatë mandatit të qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, një kompani e vetme e afërt me pushtetin ka arritur të fitojë 150 tenderë në katër vitet e fundit, me një vlerë të përgjithshme prej 75 milionë euro, duke shkelur kështu edhe dispozitat ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit.
Guri sqaroi se një prej anëtarëve të komitetit të ngarkuar për hartimin e listës esenciale të barnave — dokumenti që përcakton se cilat barna blihen nga shteti për spitalet publike, ishte Arianit Jakupi, bashkëpunëtor i afërt i ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia.
Pas hartimit të listës, ku përfshihen specifikisht produktet që duhet të prokurohen, Jakupi, sipas Gurit, dha dorëheqje nga pozita publike dhe themeloi kompaninë private Meditech. Duke qenë njohës i hollësishëm i përmbajtjes së listës dhe nevojave të sistemit publik shëndetësor, ai përgatiti ofertat e kompanisë dhe konkurroi për tenderët, të cilët në pjesën më të madhe i fitoi.
“A e dini sa është rekordi i tenderëve që një kompani e vetme i ka marrë brenda katër viteve të qeverisë se Vetëvendosjes? 150 tenderë me vlerë 75 milionë euro, vetëm prej sektorit të shëndetësisë. Emri i komanisë është Meditech. Qe qysh ka funksionu krejt kjo skemë: Një komitet e harton listën esenciale të barnave që duhet t’i blejë shteti për spitalet e tij. Njeri nga personat që ka qenë në atë komitet është Arianit Jakupi – person i afërt me ministrin Arben Vitia. I njëjti, kur ka përfunduar punën me hartimin e listës së barnave esenciale, u shndërrua në biznesmen. Aplikoi dhe i fitoi plot 150 tenderë. Pra, vetë hartoi listën e barnave që duhet t’i blejë shteti dhe veti ia shiti shtetit këto barna”, tha Kurti mes tjerash në një video-adresim.