Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani, ku është diskutuar për situatën politike në vend dhe procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Guerot ka theksuar rëndësinë që të gjitha partitë politike të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që procesi të jetë plotësisht gjithëpërfshirës.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se “roli i mediave të lira është thelbësor në një demokraci funksionale”.
“Gazetarët duhet të respektohen dhe, nëse është e nevojshme, të mbrohen”, theksoi Guerot.
Ambasadori francez ka përsëritur shpresën e Francës që zgjedhjet e 28 dhjetorit të çojnë drejt formimit të një qeverie të re, duke thënë se vendit të tij “i nevojitet një partner i plotë për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Guerot ka bërë të ditur se e ka informuar presidenten Osmani për gatishmërinë e Francës për të mbështetur tranzicionin energjetik në Kosovë, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, përpjekjet e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, dhe zhvillimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.






