9.5 C
New York
Sunday, November 16, 2025

Buy now

Gucati akuzon qeverinë për mospërfshirje në buxhet: Pesë vjet pa asnjë cent për shoqatat e dala nga lufta

- Advertisement -

Shoqatat e dala nga lufta nuk janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026.

Kështu deklaroi kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, për Ekonomia Online, duke akuzuar qeverinë se për më shumë se katër vjet radhazi nuk i ka alokuar asnjë mjet për organizatat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Përveç mungesës së fondeve, ai tha se janë ndaluar edhe trajtimet dhe rehabilitimet jashtë vendit për anëtarët e këtyre shoqatave. Për këtë Ekonomia Online ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Financave por nuk ka marrë përgjigje.

Ai tha se në më shumë se pesë vitet e fundit këto shoqata nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare dhe po mbijetojnë vetëm me ndihmën e anëtarësisë dhe të njerëzve me vullnet të mirë.

“Shoqata e dala nga lufta, jo vetëm organizata e veteranëve, por edhe shoqata e invalideve dhe dëshmorëve, në bazë të informacioneve të sakta, për buxhetin e 2026 nuk na ka futur në buxhet hiq. Jo vetëm këtë vit, por që pesë vite qeveria në ikje apo qeveria në detyrë Albin Kurti që pesë vite nuk e kanë dhënë as një parë për shoqata e dalur nga lufta. Ne e kemi pasur një buxhet 48 mijë euro që ka qenë që çdo qeveri e ka ndarë për neve. Që pesë vite kjo qeveri nuk ka ndarë asnjë cent, ne mbijetojmë me anëtarësi dhe me njerëz të vullnetit të mirë që na ndihmojnë”, tha ai.

Gucati shtoi se qeveria ka ndaluar gjithashtu edhe shërimin jashtë vendit dhe rehabilitimin e invalidëve dhe veteranëve.

“Kjo qeveri është duke gabuar shumë, na ka ndaluar edhe mjete, kjo qeveri asnjë njeri nuk e dërgon më shëruar jashtë. Kjo qeveri nuk ka dërguar as rehabilitimin që e kemi pasur nëpër banjë shëruese, asnjë invalid, asnjë veteran, asnjë familje e dëshmorit deri sot kjo qeveri nuk e ka dërguar në banjë. Çka është më e keqja se i ka ndaluar të gjitha, më e keqja është që shërimin na ka ndaluar, se ne invalidët e kemi me ligj. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë në mënyrë obligative me na dërguar me na shëruar neve jashtë vendit që kemi nevojë, me komision kuptohet nga QKU-ja. Le të del kjo qeveri të thotë tre invalidë që i ka dërguar që të shërohen jashtë vendit, ndonjë veteran, një nënë të dëshmorit apo një baba, deri më sot jo. Kjo qeveri nuk e di çka mendon, kjo duhet me ditë se me gjakun e tyre është ardhur sot në pushtet, jo vetëm kjo por gjitha qeveritë”, tha ai.

Gucati kërkoi nga ekzekutivi përfshirjen e tri shoqatave në buxhetin e 2026 dhe rikthimin e fondeve për shpenzimet themelore të organizatave.

“Sot qeveria nuk e kthen kokën nga ne, kurrë në jetën e 5 viteve asnjë lek nuk e ka dhënë as për shoqatat e invalideve, as dëshmorëve, as për një. Kështu që unë i kisha bërë thirrje qeverisë që me na fut neve në buxhetin e 2026, që të ndajë mjete për tri shoqata e dala nga lufta. Nuk po kërkojmë luks, por vetëm mbulimin e shpenzimeve tona që harxhohen nga organizata e dala nga lufta: rryma, uji, flamujt nëpër varreza të dëshmorëve, shpenzimet e rrugëtimit që kemi jashtë vendit. Këto jemi duke i kërkuar, asgjë më shumë nuk kërkojmë, as nuk kërkojmë paga, vetëm këto me një projekt që bëjmë, me një plan që e dorëzojmë edhe ajo ka qenë shumë 48 mijë euro përpara, e prapë këtë vit nuk e ka futur në buxhet për 2026”, tha ai.

Ai tha se gjendja e veteranëve dhe invalidëve është e vështirë, jo vetëm materiale, por edhe shëndetësore dhe mendore.

“Gjendja e tyre nuk është e mirë, edhe materiale, edhe shëndetësore, edhe që besa mendore, se na kemi nevojë. Unë kam nevojë që të shkojnë te psikologu dhe psikiatri, nuk është marrë me shku as këto nuk i kemi nga kjo qeveri që të bëjmë një rehabilitim. Nuk është gjendje e mirë më së pari shëndetësore, kemi shumë invalid, shumë veteranë që kanë nevojë të dalin jashtë vendit për shërim. Në vet QKU nuk paguajmë pesë euro, vetëm aty jemi të liruar, krejt të tjerat duhet që t’i blejmë. Ky është turp i madh i kësaj qeverie që i ka ndaluar këto. Kemi shumë shokë tanë që ju ka refuzuar shërimi jashtë vendit, kjo qeveri nuk i ka dërguar që t’i shërojnë. Tash ka filluar me disa proteza dikur rreth 40 veta që kanë filluar që t’u ndërrojnë protezat e gjymtyrëve, që pesë vite, ata kanë nevojë me i ndërru protezat çdo vit apo çdo dy vite. Tash ka filluar edhe ato me ndihmën e Katarit, presidentja ka bërë një marrëveshje, Vjosa Osmani ka bërë një marrëveshje me Katarin. Shteti jonë e ka obligim, e obligon ligji, e obligon kushtetuta, që ne t’i kemi rehabilitimin apo shërimin jashtë vendit. Është me ligj e obliguar që këto kategori 100 për qind është e invalidit, 70 për qind veteran dhe 70 për qind është familja e dëshmorit që shërimin jashtë vendit shpenzimet t’i mbulojë qeveria apo ministria përkatëse”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit