16.4 C
New York
Thursday, September 11, 2025

Buy now

Gucati: Afër 5 mijë veta kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Hagë, 7 autobus nesër nisen nga Kosova e Maqedonia

- Advertisement -

Të dielën, më 14 shtator 2025, para objektit të Gjykatës Speciale në Hagë, pritet të mbahet një protestë gjithëkombëtare, një nga tubimet më të mëdha të shqiptarëve në diasporë kundër proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në bashkëpunim me diasporën shqiptare në Evropë dhe pritet të fillojë në orën 14:00, ndërsa autoritetet holandeze kanë dhënë leje zyrtare për zhvillimin e saj.

Në një intervistë për Gazetën Metro Kryetari i organizatës së OVL-UÇK ka dhënë detaje lidhur me protestën ku ka njoftuar se mbi 5mijë persona e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.

“E kanë konfirmuar përafërsisht mbi 5000 vetë, unë momentalisht jam në Belgjikë. Organizimin nuk e kam paramenduar as vet që do të shkoi kaq mirë. Kanë filluar të vijnë, disa në Gjermani, disa prej Kosova kanë ardhur. Autobusët nesër nisen nga Kosova në ora 16:00, 5 autobusë, dy nga Maqedonia. Ata që kanë ardhur deri më tani janë akomoduar nëpër hotele. Sot në ora 15:00 jam në vizitë tek Kadria dhe Hashimi. Ata e din që protesta veç ka filluar dhe jemi duke punuar. Ju bëjë thirrje gjithë mërgatës që të hjitha rrugët t’i qojnë në mërgatë”, është shprehur Gucati.

OVL-UÇK ka bërë të ditur se protesta synon të kundërshtojë, sipas tyre, proceset e njëanshme të Gjykatës Speciale, të cilat sipas organizatorëve paraqesin padrejtësi të dukshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe tentojnë të deformojnë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se organizata nuk kërkon mëshirë, por drejtësi për krerët e UÇK-së. Ai shton se protesta u kërkua nga bashkëluftëtarët e tyre në mërgatë, sidomos në Amerikë dhe Evropë, dhe se organizata i ka dhënë mbështetje të plotë me të gjitha kapacitetet.

Sipas Fatmir Koci, përfaqësues i diasporës shqiptare, në Hagë nuk po gjykohen individë, por po gjykohet lufta e drejtë për liri dhe vetë shtetësia e Kosovës.

Ai bën thirrje që qytetarët dhe institucionet të jenë bashkë para Gjykatës për të treguar se Kosova nuk pranon padrejtësi.

Ndërsa Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, thekson se strukturat e partisë në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora dhe Kosova do të jenë aty për të ngritur zërin për luftën e drejtë të UÇK-së, duke kujtuar se ajo mbetet themeli i lirisë së vendit.

Protesta pritet të jetë paqësore dhe masive, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera evropiane, të organizuar përmes grupeve të diasporës dhe linjave të transportit. Diaspora shqiptare ka nisur përgatitjet prej javësh, duke organizuar udhëtime me autobusë, makina private dhe avionë charter, për të siguruar pjesëmarrjen e një numri sa më të madh qytetarësh.

Kjo protestë nuk synon vetëm t’i drejtojë mesazhe autoriteteve ndërkombëtare, por edhe të ndërgjegjësojë publikun për vlerat dhe sakrificat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar se lufta e saj ishte e drejtë dhe e nevojshme për pavarësinë e vendit. Organizatorët theksojnë se çdo përpjekje për të kriminalizuar UÇK-në është tentativë për të shtrembëruar historinë dhe për të minuar unitetin kombëtar.

Të ngjashme

Të fundit