Pep Guardiola kaloi tre orë duke u përpjekur të bindte Jude Bellingham që t’i bashkohej Manchester Cityt përpara se ylli anglez të transferohej te Real Madrid këtë verë.
Transferimi i Bellingham prej 131 milionë eurove nga Borussia Dortmund në Real Madrid u krye që në mesin e qershorit, duke i dhënë fund shumë spekulimeve.
Por është zbuluar se kishte një dramë në prapaskenë me Cityn që bëri një lëvizje të vonuar që përfshinte një shifër më të lartë për Dortmundin dhe një pagë më të lartë për lojtarin.
Cadena Ser raporton se lëvizja e guximshme e Cityt përfshinte një bisedë tre-orëshe midis Guardiolës dhe Bellingham, gjatë së cilës trajneri i Cityt u përpoq ta bindte mesfushorin se një lëvizje në Premier League do të ishte një opsion më i mirë dhe se City ishte në një fazë më të mirë të zhvillimit se Real Madridi.
Në fund të fundit, Bellingham ishte i vendosur të transferohej në Spanjë pavarësisht ofertës më fitimprurëse.
Guardiola e respektoi vendimin dhe i uroi si Bellinghamit ashtu edhe Real Madridit fat me këtë lëvizje.