16.7 C
New York
Monday, June 9, 2025

Buy now

Guardiola: Pa ndikimin e Cruyff vështirë të bëhesha trajner

- Advertisement -

Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, u është rikthyer rrënjëve të filozofisë së tij futbollistike duke vlerësuar ndikimin që ka pasur legjenda holandeze Johan Cruyff në formimin e tij si trajner.

Në një intervistë për DAZN, tekniku katalanas ka theksuar se suksesi në futboll nuk varet nga një individ i vetëm, por nga harmonia dhe mënyra e lojës së gjithë ekipit.

“Pa ndikimin e Cruyff në karrierën time si futbollist, do të ishte shumë më e vështirë të bëhesha trajner. Njerëzit mendojnë se një trajner zhvillon një lojtar më mirë se një tjetër, por kjo nuk është e vërtetë. Është ekosistemi i ekipit, mënyra se si luajnë bashkë, që e bën një lojtar të duket më i mirë. Pak janë ata që mund të ndryshojnë gjithçka vetëm. Pa ekipin, je asgjë”, është shprehur Guardiola.

Në prag të fillimit të Kupës së Botës për Klube, që nis më 15 qershor, Guardiola ka komentuar edhe përgatitjet e City dhe pritjet për këtë turne të zgjeruar që do të zhvillohet për herë të parë me më shumë ekipe nga kontinente të ndryshme. “Do të shohim si do ta mbyllim sezonin dhe si do të paraqitemi në këtë turne, të gjithë së bashku. E më pas do të shohim çfarë do të ndodhë. Zakonisht, kur e nis një garë, si Premier League për shembull, nuk e nis me mendimin ‘duhet ta fitojmë patjetër’. Gjithçka shkon hap pas hapi, por sido që të arrijmë atje, do të përpiqemi të luajmë më mirë sesa gjatë sezonit”, ka thënë ai.

Trajneri spanjoll e sheh këtë kompeticion si një mundësi për përballje me stile dhe kultura të ndryshme loje, gjë që e pasuron eksperiencën e ekipit dhe vetë futbollit. “Sot në futboll, edhe në ligat vendore, ka shumë stile, trajnerë dhe kultura të ndryshme. Të luash kundër ekipeve nga Oqeania, Azia apo Amerika e Jugut është një përvojë e re, kjo është bukuria e futbollit. Nuk ka gjithmonë një stil të vetëm, por ka vizione dhe kultura të ndryshme”, ka thënë ai.

Të ngjashme

Të fundit