Pep Guardiola ka shtuar një tjetër arritje historike në karrierën e tij të lavdishme, pasi me fitoren 1-0 ndaj Brentford të dielën në “Gtech Community Stadium”, u bë trajneri më i shpejtë që arrin 250 fitore në Ligën Premier.
Tekniku katalanas e arriti këtë shifër të jashtëzakonshme pas vetëm 349 ndeshjesh në krye të Manchester Cityt, duke vendosur një rekord të ri që thekson dominimin e tij në futbollin anglez që prej vitit 2016.
Për krahasim, legjendës së Manchester Unitedit Sir Alex Ferguson iu deshën 404 ndeshje për të arritur 250 fitore, ndërsa ish-trajneri i Arsenalit Arsène Wenger e arriti këtë shifër pas 423 ndeshjesh, çka e bën suksesin e Guardiolës edhe më mbresëlënës.
Në ndeshjen ndaj Brentfordit, City zhvilloi një lojë të fortë dhe efikase, duke marrë tre pikë të vlefshme që e ngjitën në vendin e pestë me 13 pikë nga tetë ndeshje, vetëm katër pikë larg liderit Arsenal.
Guardiola ruan një përqindje fitoreje prej 71.6 për qind, që e vendos atë mbi çdo trajner tjetër në historinë e ligës, duke e përforcuar pozitën si një nga figurat më dominuese të futbollit modern.
Fitorja u sigurua nga Erling Haaland, i cili shënoi një gol vendimtar në minutën e 9-të. /Telegrafi/