Pavarësisht rivalitetit të ashpër që kanë pasur ndër vite, Pep Guardiola ka pranuar se do ta falënderojë Jose Mourinhon për “ndihmën” në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Manchester Cityt ishte i vetëdijshëm se fitorja e Benficës së Mourinhos ndaj Real Madridit ishte vendimtare për kualifikimin e skuadrës së tij në fazën 1/8 të Ligës së Kampionëve, duke e shmangur nevojën për dy ndeshje shtesë në fazën plejof.
Pas fitores së Cityt ndaj Galatasarayt të mërkurën mbrëma, Guardiola u pyet nëse do t’i dërgonte një mesazh falënderimi Mourinhos.
“Po, sigurisht”, u përgjigj trajneri spanjoll.
Guardiola tregoi se ai dhe ekipi i tij po e ndiqnin ndeshjen e Benficës nga dhomat e zhveshjes, kur skuadra portugeze shënoi golin e katërt vendimtar.
“Nuk e dinim që Benficës i duhej edhe një gol për t’u kualifikuar. Kur pamë portierin të dilte nga porta në minutat e fundit, të gjithë po thoshin: ‘Pse po del?! Qëndro në portë! Madridi mund të barazojë dhe ne do të eliminohemi!’”, ka thënë Guardiola.
Ai pranoi se te City kishte frikë të madhe se Real Madridi mund ta barazonte rezultatin, pasi një barazim do ta linte kampionin anglez jashtë tetëshes së parë dhe do ta detyronte të luante dy ndeshje shtesë.
“Ishte një strategji e mirë nga Jose, apo jo? Të shënohej goli i katërt”, shtoi Guardiola.
Benfica e drejtuar nga Mourinho u kualifikua në fazën 1/16 të Ligës së Kampionëve duke përfunduar në vendin e 24-t – pozita e fundit që siguron kalimin tutje – falë fitores 4:2 ndaj Real Madridit.
Goli vendimtar u shënua në minutat e fundit nga portieri Anatoliy Turbin, i cili vulosi një kualifikim dramatik për skuadrën portugeze.






