Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola tregoi se do ta ketë prioritet si Premier Leaguen ashtu edhe Champions Leaguen, pa i dhënë asnjërës më pak hapsirë se sa duhet.
Guardiola pasi mposhti Arsenalin, do të përballet me Fulham të dielën, dy javë përpara se të ballafaqohet me Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Kur jeni 10 ose 15 pikë prapa liderit, atëherë ndoshta ju keni prioritet Ligën e Kampionëve, por ne nuk kemi kohë për të prioritizuar asgjë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Premier League është kaq e bukur, kaq tërheqëse. Të jesh kampion është tani një nivel i ngjashëm me Ligën e Kampionëve”.
“Njerëzit pyesin ‘Pse? Sepse ju nuk keni (Ligën e Kampionëve)?’ Por Premier League është Premier League”.
“Janë 11 muaj, çdo javë, çdo javë. Vëmendja ime është te Fulham, pastaj West Ham dhe më pas do të jetë Leeds”.
“Pas Leeds-it, kam kohë të mjaftueshme – jo shumë sepse është e shtunë-e martë – por sigurisht që ekipi im do të më ndihmojë pak për t’u përgatitur për Real Madridin”.
Megjithatë, ai pati kohë për të lavdëruar paraqitjen e ekipit të tij ndaj Arsenalit në mesjavë.
“Ne jemi shumë të lumtur me ndeshjen e fundit dhe mënyrën se si luajtëm, por kjo është e gjitha. E di që nuk kanë mbetur 20 ndeshje, vetëm shtatë, por janë shtatë ndeshje të rëndësishme. Sidomos sepse kemi ndeshje të Ligës së Kampionëve në mes”, tha Guardiola.