Grand Theft Auto VI mund të thyejë të gjitha rekordet e shitjeve në industrinë e videolojërave.
Kompania vlerësuese amerikane, Konvoy, vlerëson se loja GTA VI (Grand Theft Auto VI) do të gjenerojë të ardhura prej 7,6 miliardë dollarësh vetëm dy muaj pas publikimit të saj, i cili është paralajmëruar për 26 maj 2026 – duke i kaluar të gjitha rekordet e mëparshme në industrinë e lojërave elektronike.
Sipas një analize të publikuar në profilin në LinkedIn të partnerit në kompaninë Konvoy, Josh Chapman, pritet që kompania Rockstar Games të shesë 85 milionë kopje të lojës së saj të re GTA VI gjatë 60 ditëve të para, me një çmim mesatar prej 80 dollarësh për kopje.
Në këtë parashikim janë përfshirë edhe të ardhurat e pritshme nga abonimet në programin GTA Plus, raporton portali Insider Gaming.
Për krahasim, Rockstar Games kishte arritur të ardhura prej 1 miliard dollarësh vetëm tre ditë pas publikimit të pjesës së mëparshme të franshizës, GTA V, në vitin 2013, ndërsa ditën e parë u shitën 11 milionë kopje.
Interesimi i fansave tani është edhe më i madh falë përparimeve teknologjike dhe strategjisë së kujdesshme të marketingut të Rockstar Games, ndërkohë që dy trailerët e GTA VI tashmë kanë thyer rekorde shikueshmërie në platformën YouTube.