22 C
New York
Thursday, June 19, 2025

Buy now

Gruri që nuk sjell bukë, bujqve të Shtimes u dëmtohen hektarë nga herbicidi i gabuar

- Advertisement -
Në pranverë u mboll me shpresë por vera vetëm bekim nuk solli.

Bujqit e fshatit Davidovc të Shtimes po përballen me një humbje të rëndë pas përdorimit të një herbicidi për të larguar barishtet nga arat me grurë.

Tani në hektarë të tërë vetëm bimësia ka shpëtuar e gruri ka mbetur i tharë, duke çuar dëm të gjithë mundin e një viti.

Dyshimet i kanë tek dy produkte që kanë përdorur, për të dytin vjet me radhë, kësaj radhe për grurë.

“Arën ma ka dëmtu boll. Pjesa që pe shihni e paprekur prej pesticideve ka shpëtu. Këta të prekurit është shkrum. Erdhën të tjerët me i stërpik arat me preparate edhe më thirrën më thanë: Ç’ka t’u kish djeg gruri krejt? I hypa traktorit e erdha. Kur erdha, ç’ka me pa? M’humbi edhe rruga për shpi, u trishtova. 18 karroca pleh ia kam qit”, ka deklaruar Imer Bajrami, Bujk i dëmtuar

Të njëjtin fat e ka pasur edhe Skender Azizi i cili sikurse të tjerët, nuk gjeti gatishmëri për kompensim, as nga barnatorja bujqësore e as nga distributori i produktit.

“Ju kemi drejtu por ai nuk jep përgjegjësi. Na ka prit keq. Ai thotë unë shishet nuk i kam mbush. Ankohuni ku të doni. Distributori ka qenë, thotë që klima ka qenë shkaktar, temperaturat kanë qenë të ulëta kur janë sterpik”, deklaroi Azizi

Herbicidet e përdorura “Diovid” dhe “Nicozea” të gjithë bujqit e dëmtuar i kanë blerë tek barnatorja “AB”, që është në Shtime, e cila sipas tyre, nuk u ka lëshuar as faturë.

Pronari i saj nuk pranoi të deklarohet para kamerës por ka thënë për televizionin se fajin e kanë bujqit, për përdorimin e gabuar të tij në temperaturat jo adekuate.

Këtë qëndrim e ka edhe distributori i produktit.

“S’kemi të bëjmë me të, s’kemi ankesa as sen. Drejtohuni tek barnatorja sepse e kanë përdor gabimisht, s’ka të bëjë asgjë me produktin. Ditën e mirë”.

Dritë mbi shkaktarin e dëmit ka hedhur raporti i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i cili thotë se herbicidet kanë qenë të gabuara.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zyra Regjionale Ferizaj ka pranuar kërkesë/ankesë nga një grup fermerësh disa fshatra të komunës se Shtimes, për dyshim mbi ndryshime të gjendjes shëndetësore të grurit pas trajtimeve me preparate mbrojtëse të bimëve. Inspektori fitosanitar kompetent i fushës se mbrojtjes se bimëve ka dalë ne teren për inspektim të parcelave, ngastrave të mbjella me grurë, në prezencë të pronarëve të tyre. Të cilët kanë treguar për llojet e herbicideve qe kanë përdorur për trajtim. Në pamje vizuale  në të gjitha parcelat ku janë aplikuar herbicidet. Shenjat e veprimit të herbicideve ishin të njëjta. Gruri ka ngecur në rritje, ka ndryshuar ngjyrën, nuk ka shenja të diferencimit të kallirit, praktikisht nuk pritet korrje”.

Me ketë rast janë marrë dy mostra për analiza të mbetjeve të PMB-ve por nga raportet nga “IBK” kemi marrë përgjigje se këto materie aktive nuk gjenden në listën e kalibrimit të pajisjes së laboratorit të mbetjeve kimike në IBK.

Herbicidet qe janë aplikuar janë: “DIOVID” 60 SL me materie aktive 2,4-D (dimetil amonijum) dhe herbicidi “NICOZEA” me materie aktive , Nicosulfuron 4%. Ky i fundit është i dedikuar per aplikim vetëm në kulturën bujqësore misër. Sipas literaturës shkencore del se: Gruri nuk është tolerant ndaj nicosulfuronit. Kontakti direkt me këtë substancë mund të shkaktoj këto pasoja:

– Ndërprerje të rritjes – Zverdhje te gjetheve (kloroze) – Nekroze (dëmtim te indeve) – Reduktim ose humbje te prodhimit etj.

Rreparatet janë blerë tek biznesi: “Barnatore bujqësore AB” sh.p.k. rr. “Adem Jashari” nr. 178 Shtime.  Duhet përmendur se si person përgjegjës ne ketë biznes është Biondina Isak Nishori -“master i lavërtari – perimtari me nr. dokumenti 377. Inspektori pas kompletimit të hulumtimit të rastit do të ndërmarrë veprime konform legjislacionit në fuqi. Palët janë pajisur me procesverbale mbi të gjeturat në inspektim, për hapat tutje ata duhet të u drejtohen organeve kompetente. AUV ka kryer detyrën sipas mandatit ligjor qe ka.  Sipas bujqve, dëmi ka prekur 80 hektarë dhe për gabimin që iu kushtoi, ata presin përgjegjësi e kompensim. /TV Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit