28.4 C
New York
Sunday, June 29, 2025

Buy now

Grumbullim treditor në Hajvali me talentët nga Diaspora për Kombëtaret U15, U16 dhe U17

- Advertisement -

Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar edhe këtë vit grumbullimin treditor me futbollistë nga Diaspora në Kampin Nacional në Hajvali. Ky kamp përfshin lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17 dhe është pjesë e planit vjetor të punës për identifikimin dhe përfshirjen e talenteve të rinj në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Futbollistët e ftuar për këtë kamp gjatë këtyre tri ditëve do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre para stafeve teknike të kombëtareve përkatëse, ndërsa qëllimi i këtij grumbullimi është të ofrojë një tjetër mundësi për ata që ishin prezent në kampin paraprak që është mbajtur në Gjermani.

Njëri nga pjesëmarrësit e këtij grumbullimi, Erblin Pllana, shprehu emocionet e tij për ftesën: “Jam gëzuar shumë kur më ka ardhur mesazhi. Ma tregoi babi dhe e pashë që edhe ai u gëzua shumë. S’ka më mirë se të luash për vendin tënd. Më kanë pritur shumë mirë si gjithnjë, pasi kam qenë edhe në vitin 2024 në një grumbullim në Gjermani, e më pas i kemi luajtur dy ndeshje me Bullgarinë dhe prapë kam qenë sivjet edhe në një grumbullim në Gjermani. I kam disa shokë të vjetër këtu, por sot i bëra edhe disa të rinj. Gjithçka është shumë mirë”, tha ai.

Përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arbnor Morina, tha se ky kamp është vazhdimësi e planit të punës të FFK-së:

“Pas kampit që e kemi bërë në Gjermani, kjo është pjesa e dytë me futbollistët që për shumë arsye nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në Gjermani dhe ka disa që i kemi përcjellë dhe kanë treguar një performancë të mirë, kështu që ju kemi mundësuar që përderisa janë me pushime në familjet e tyre të jenë edhe tri ditë në stërvitje me neve”, tha ai.

Morina theksoi se të gjithë lojtarët e grumbulluar janë në konkurrencë me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë dhe të tjerët në klubet evropiane, por sipas tij fat i keq është se vetëm 20 prej tyre mund të jenë pjesë e kombëtares për ndeshjet kualifikuese të vjeshtës, për shkak të rregullores së UEFA-s.

“Të gjithë duhet të tregojnë maksimumin dhe ju mbetet të punojnë në klubet e tyre, ku i përcjellim në vazhdimësi përmes platformave”, shtoi Morina.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Kombëtares U15, Ilir Nallbani, u shpreh i lumtur me organizimin e kampit, duke theksuar rëndësinë e dhënies së mundësive të barabarta për të gjithë lojtarët: “Ata futbollistë që nuk patën mundësi të dëshmohen kur ishim në Gjermani apo nuk kishin mundësi të vinin atje, sigurisht se kjo është një mundësi e artë për ta, sepse përveç se kanë ardhur në pushime për vizitë në familjet e tyre, kanë ardhur edhe të provojnë veten e tyre në Kombëtaren e Kosovës”, tha Nallbani.

Ai shtoi se gjatë kampit lojtarët e grumbulluar U15 do të zhvillojnë edhe dy ndeshje mes vete, të cilat do të jenë vendimtare për stafin teknik që të vëzhgojë nga afër cilësitë e tyre dhe të identifikojë lojtarët që do të jenë pjesë e së ardhmes së kombëtareve zinxhirë.

Punë me talentet nga Diaspora gjatë këtyre tre ditëve do të kenë edhe trajnerët e Kombëtares U16, Mehmed Kurda dhe Ibrahim Domi.

Të ngjashme

Të fundit