Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, duke folur për letrën që kryetari i këtij subjekti politik ua dërgoi krerëve partiak thotë se qëllimi i saj është t’i mbledh bashkë forcat politike që ta votojnë mocionin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Gruda thotë se Kosova ka nevojë urgjentisht për të shkuar në zgjedhje.
“Letra e sotme e kryetarit Memli Krasniqi është një përpjekje e radhës e partisë për të krijuar një rrugë që e çon Kosovën drejtë zgjedhjeve. Çdo lloj rruge që e çon Kosovën në zgjedhje është e pranueshme për ne. Në këtë moment është e rëndësishme që t’i bëjmë bashkë të gjitha forcat politike që të votojnë mocionin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që t’i hapet rruga zgjedhjeve. Kosova ka një nevojë urgjente për të shkuar në zgjedhje për shkak të izolimit ndërkombëtar, për shkak të sanksioneve, për shkak të rritjeve të çmimeve, mungesës së zhvillimit ekonomik, dështimit të anëtarësimit në KiE. Krejt këto bashkë na tregojnë çdo ditë që Kosova të vazhdojë të qeveriset nga Qeveria Kurti është një ditë e humbur”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Gruda thotë se shpërndarja e Kuvendit është një procedurë teknike që mund të ndodhë shpejt.
Ndërkohë, deklaron se për shpërndarjen e Kuvendit nuk mjaftojnë vetëm votat e PDK-së, por thekson edhe faktin që nuk i kanë votat nga LVV-ja.
Gruda potencoi se po t’i kishin votat qysh moti do të kishin nisur procedurat për shpërndarjen e Kuvendit.
“Votat brenda PDK-së i kemi të sigurta, pa asnjë hezitim. Por, siç dihet vetëm këto vota nuk mjaftojnë, jemi të sinqertë. Na duhet edhe votat tjera. Të Vetëvendosjes s’i kemi fatkeqësisht. Ato vota dirigjohen nga kryeministri Kurti, prandaj ne kemi shkuar për ta takuar Kurtin… për neve e rëndësishme është që të votojë edhe pjesa tjetër e opozitës… Ne po t’i kishim votat do të kishim proceduar, pajtohem. Ideja është që PDK-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta shpërndarë Kuvendin”, deklaroi ai.
Përfund, ai cek se “shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës është ndërprerja e mandatit të Kurtit.
Ai tha se PDK-ja ka për qëllim që Qeverisë Kurti t’ia shkurtojnë mandatin.