Bllokada për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është tema që po diskutohet në “Rubikon”.
Tash e shtatë herë ky institucion mblidhet, por nuk gjen rezultat pozitiv, pasi LVV-ja nuk po heq dorë nga të zgjedhurit si kandidate për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, ani pse votat s’po i merr.
Lidhur me këtë, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda thotë se ata nuk janë të detyruar të votojnë pro Haxhiut, e në këtë mënyrë të kalojë ngërçi politik që ka kapluar Parlamentin.
Madje ai rendit pesë arsyet pse nuk duhet vituar Albulena Haxhiu.
“E para, sepse siç e dini ne e kemi gjetur këtë ministre në shkelje kushtetuese disa herë. Kjo ministre ka iniciuar ligje jokushtetuese të cilat ne i kemi rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese. Kjo ministre ka premtuar reforma në drejtësi, s’e ka bë. Kjo ministre e ka premtuar vetingun, s’e ka bë, e ka bërë një dokument skandaloz. Kjo ministre i ka zhdukur provat për rastin Dehari. Kjo ministre i ka ulur fondet e mbrojtjes së të akuzuarve në Hagë. Për ne, këto janë arsye të mjaftueshme për mos me e votu”, u shpreh Gruda.